Conte fiton duelin me Mourinhon, mbrojtësi francez pranë kalimit te Tottenham

Clement Lenglet një hap larg transferimit në Premier League. Mbrojtësi 27-vjeçar francez nuk bën pjesë në planet e trajnerit Xavi dhe drejtuesit e klubit i kanë hapur derën largimit të tij, me Tottenhamin që është shumë pranë firmës.
Mediat britanike konfirmojnë se Conte ka fituar garën me Mourinhon, dhe ka bindur 27-vjeçarin të transferohet në Premier League, teksa marrëveshja mes Lenglet dhe Tottenhamit është arritur tashmë.
Ndërkohë drejtuesit e klubit anglez po negociojnë me ata të Barcelonës për transferimin e futbollistit me formulën e huazimit me të drejtë blerjeje për 6-8 milionë euro.
Gjasat janë që Lenglet të përfundojë në Londër brenda kësaj jave dhe të kryejë vizitat mjekësore, para se të firmosë kontratën dhe të nisë përgatitjet nën urdhrat e Antonio Contes.
Mbrojtësi francez ishte edhe në planet e Romës, pasi Mourinho nuk e ka fshehur asnjëherë simpatinë për të, por në fund duket se këmbëngulja e Antonio Contes ka bërë që 27-vjeçari të transferohet në kryeqytetin anglez.
