Nga Gjergji Stefa
Ishin vitet ‘90, histori që ndoshta nuk i keni dëgjuar më pare, të rinjtë e sotëm do të befasohen.
Historitë e mëposhtme kanë një marzh gabimi shumë të vogël, janë dëshmi të kohës nga ish-sportistë e media. Gjithashtu disa prej tyre të jetuara e dëgjuara nga autori i shkrimit. Diçka mund të mos jetë e saktë, por shumica janë detaje të pakontestueshme. Ky është një shkrim që duhet të bëjë shumë kuriozë moshat e reja.
Rejkjavik 2013. Teksa Kombëtarja priste të nisej çarteri që do ta dërgonte direkt në Tiranë pas humbjes në Islandë, presidenti Duka shfrynte për humbjen, ndërsa De Biasi vinte vërdallë duke u justifikuar me mungesat. Sapo kishim konfirmuar sërish vendin e pestë në grup, vend që na shoqëronte prej afro 20 vitesh. Megjithëse vishemi mirë, udhëtojmë si gjithë bota dhe akomodohemi në hotelet më të shtrenjta, diçka nuk shkon.
Teksa po mundohesha të shpjegoja me anë të një artikulli nga aeroporti i vogël i Islandës se çfarë na mungonte, pothuajse më erdhi për të qeshur, sepse m’u kujtua faqja e parë e “The Sun” në vitin 1990: “Albania, duty free for all” (Shqipëria, falas për të tërë). Asokohe, Shqipëria po shkonte në Islandë për të luajtur ndeshjen e parë të eliminatoreve të Europianit 1992 dhe në Londër, në aeroport, teksa lexonin free, mendonin se ishte falas. Skuadra përfundoi e tëra në rajonin e policisë dhe Bejkush Birçe, një njeri i devotshëm, rigoroz, trajner i disiplinës dhe autoritar, mendoi: “Sistemi ra, nuk ra njeriu, por ra morali”. Sa për moral, në Islandë, në momentin e himnit, hyri një njeri komplet lakuriq në fushë. Humbëm dhe atëherë 2-0 dhe ajo çka bëri përshtypje në vitin 2013 ishte se islandezët kishin ndërtuar një tribunë më shumë në stadium.
Në Islandë, fotot tregojnë që kemi luajtur me fanella Adidas, shumë modern, me krahë si të shqiponjës, të bardha. Dëshmitë e kohës thonë që këto fanella i porositëm një vit më pare, teksa do të luanim ndaj Anglisë. Na duhej diçka e veçantë dhe, në fakt, ishin deri diku ndryshe. Në një foto të ndeshjes, ajo çka bie në sy ishin flokët pak më të gjatë dhe një varëse në qafën e Demollarit. Një vit më pare, i njëjti “yll” i Kombëtares ishte disi më i rregullt në fotot e ndeshjeve. Si për flokët ashtu dhe për varësen që konsiderohej shfaqje e huaj.
Diçka po ndryshonte, apo jo? Imagjinoni t’i thuash një të riu sot që simbol i ndryshimit janë flokët pak më të gjatë dhe një varëse në qafë. Çfarë kohë e trishtë!
…
Në vitin 2013, në aeroportin e Islandës qëndruam afro 5 orë. Çarteri që kishim porositur, me sa duket, nuk kish paguar tarifat ajrore dhe do të na duhej të qëndronim në një prej kafeneve të aeroportit për të pritur e për t’u kthyer në shtëpi. Kombëtarja kishte vite që udhëtonte kështu. Në vitin 2011, në një udhëtim në Minsk, u kthyem në shtëpi në orën 23:30, ndërkohë që ndeshja kish mbaruar pak orë më parë. Kishte tri orë diferencë. Njësoj sikur të pije një kafe. Por nuk ka qenë gjithnjë kështu. Mund ta konfirmoni në një dokumentar në Youtube se si vrapojnë lojtarët tanë në vitin 1991 për të kapur trenin që do t’i çonte në Olomuc për të luajtur ndaj Çekosllovakisë. Të njëjtat pamje thonë që në shinat e trenit ndanin pak bukë me djathë që kishin më vete. Humbëm dhe atje 2-1.
…
Nga viti 1984 deri në 1991 Shqipëria nuk mori asnjë fitore. Në 1991-1992 morëm dy fitore, të vetmet në gjithë epokën e tranzicionit. Këto fitore i bëmë ndaj Islandës dhe Lituanisë në “Qemal Stafa”. Ndeshja e parë madje nuk u transmetua dhe sot nuk gjen dot asnjë pamje të atij goli. Të dy golat e fitoreve i ka shënuar Eduard Abazi, njërin me kokë, tjetrin me roveshatë. Ajo çka bie në sy është që në asnjë ndeshje nuk kemi të njëjtën fanellë. Herë shfaqemi me Adidas të vjetër, herë me një Umbro. Më pas vishemi me një të bardhë me stemë të madhe, pastaj dukemi me ca vija të shpëlara si në humbjen 5-1 me Spanjën. Meqenëse jemi të Spanja (1993), këtu është fundi i një cikli mjeran, cikël që u mbyll me dyshime të forta morale. Spanjës i duheshim 4 gola diferencë për të shkuar në botëror dhe fitoi në Tiranë 5-1, aq sa i duhej. I vetmi që u shpëtoi kritikave atë ditë ishte Sokol Kushta, që shënoi një ndër golat më të bukur të historisë kuqezi. Bejkush Birçe u largua pas dy edicionesh atë ditë. I njëjti edicion nisi në Spanjë, ku, pasi humbëm 3-0, spanjollët, që u vinte keq për ne, na dhanë fanella kuqebardhë. Me to ne luajtëm në Irlandë, aty ku trajneri u detyrua të aktivizonte 5 lojtarë që një ditë më parë kishin luajtur me U-21, sepse lojtarët nuk i erdhën fare. Sot duket e habitshme, po fare fare. Nuk kishin as si t’i lajmëronin.
Meqenëse jemi te fanellat, në Danimarkë shkuam pa fanella rezervë dhe danezët na dhuruan uniformën e tyre të tretë ngjyrë blu, na qepën stemën në kraharor dhe na zbritën në fushë. Ishte shumë interesante të shikoje dy skuadra të veshura njësoj, por me dy stema të ndryshme. Ajo ndeshje do të hyjë në histori, jo sepse na mundën 4-0 pa na dhënë asnjë shans, por sepse atë ditë për herë të parë dhe të vetme Shqipëria luajti me uniformë blu. Kushedi sa krenar do të ish ndier presidenti i kohës, doktor Berisha. Saga e fanellave mbaron me një uilsport me të cilët luajtëm disa ndeshje, por dhe këtu me incidentin e radhës. Në Gjermani, në vitin 1994, shkuam pa të mbathura dhe ato na i bën dhuratë klubi vendas Kaizerslatuern. Thonë që i harronim kastile, që të merrnim sa më shumë dhurata. Edhe mund të jetë kështu. Saga e fanellave njëpërdorimshme mbaron më pas me kontratën me Puma-n, kontratë që zgjati për disa vite. UEFA u bë garante për nënshkrimin e një kontrate me vendet si Shqipëria, Maqedonia e Bosnja. Materiale për gjithë ekipet kombëtare dhe 250 mijë marka “cash” çdo dy vite. Shqipëria po dilte ngadalë nga skamja.
…
Ndeshja e parë me stola ka qenë ajo kundër Bullgarisë, në vitin 1994. Ajo ishte një ndeshje e veçantë. Kishte një lloj entuziazmi në Kombëtare. Mbaj mend që kam shkuar në Rogner, ku akomodohej Shqipëria, për t’i marrë autograf Bajkos, Kushtës e Vatës. Lojtarët atëherë nuk janë si sot. Ngjanin shumë më të mëdhenj në moshë, kishin hije më të rëndë, ishin si më të shëndoshë. Nejse, atë ditë ne barazuam me Bullgarinë. Në stadium u vunë stolat në tribunën përballë për herë të parë. Ishin me ngjyrë të kaltër. Stolat e “Qemal Stafës” i mbani mend të gjithë. Për ndriçim nuk bëhej fjalë. Ndeshja e parë me drita do të luhej në vitin 1999. Shqipëri-Greqi 0-0, kur ministër sportesh u bë Edi Rama. Gjithsesi, ndeshje e madhe. Bullgaria vinte nga gjysmëfinalet e Kupës së Botës. Mbaroi 1-1, shënuan Stoiçkov e Rraklli. Bajko, në fund të ndeshjes, qau nga emocionet. Qau për një barazim. Sot nuk qajnë as për humbje, jo më për barazime.
…
Kur Griezmann shënoi golin e parë ndaj Shqipërisë në Euro 2016, në Marsejë, u mërzita shumë. Mendoj që është ndeshja më e madhe që po bënim në histori. Pothuajse perfektë, derisa erdhi ai gol me kokë e më pas Payet. Kur ktheva kokën pas, kuptova që, sikundër shkruan një gazetar holandez, që erdhi për finalen e Conference League-s, askush nuk ka bërë progres sa ju. M’u kujtua ndeshja me Francën në Tiranë, në vitin 1991. Platini ishte trajner. Në Francë humbëm 5-0, ndërsa këtu 0-1. Ajo çka habiti francezët nuk ishte Tirana, por Berati e Kuçova. Në Berat luante U-21 e Francës me Shqipërinë. Zidane e Lizarazu ishin pjesë e “Gjelave”. Stërvitjet i bënë në Qytetin Stalin, ndeshjen në stadiumin “Tomorri”. Mbaroi 0-0, por vështirë se Zidane i ka harruar fytyrat e skamjes. Thonë që u ka dhuruar topa fëmijëve në të dy qytetet. Shqipëria ato vite me të rinjtë bënte mirë. Në 1993, për shembull, ishte një sistem i çuditshëm. Në “Qemal Stafa”, në 10:00 paradite, luante U-21, ndërsa në 14:00 luanin ekipet e mëdha. Po kështu dhe me Irlandën. Sot as që bëhet fjalë të ndodhë një gjë e tillë. Me Shpresat ndaj Danimarkës fituam. Muça nga Elbasani shënoi gol, me Irlandën barazuam. Me ekipet e mëdha i humbëm të dyja ndeshjet, 1-0 dhe 2-1. 2 fitore bëmë në gjithë ato vite, ndaj Islandës dhe Lituanisë.
…
Në nëntor 1991, Shqipëria mezi priste të luante ndeshjen e saj të 100-të në histori. Kundërshtare ishte Spanja, në “Qemal Stafa”. Diçka e kishim rritur nivelin dhe në atë mjerim që kalonte vendi Kombëtarja sikur dhuronte njëfarë emocioni. Ndeshjet brenda po fillonin madje të jepeshin në tv. Njoftimi që vjen ishte i çuditshëm: Spanja nuk vjen, e konsideron Shqipërinë vend të rrezikshëm. Ndeshja, në fakt, nuk kishte asnjë vlerë, sepse Franca ishte e vetmja që do të shkonte në Europian. Por ne u mërzitëm dhe u fyem shumë. Ndeshja e 100-të kuqezi u bë një miqësore me Greqinë, e cila mbaroi 1-0 me gol të Rrakllit. Meqenëse jemi te Greqia, në vitin 1992 bëjmë një miqësore në Greqi. Shtypi shkroi pak, nuk u transmetua as në tv e as në radio. U komentua vetëm disa ditë më pas. Fituam 2-0, në Athinë, me dy gola të Kushtës. Greqia ishte ekip i plotë, luante dhe Saravakos. Ajo ishte një fitore e madhe e lënë në harresë. Lojtarët tanë luanin në ekipet e dorës së dytë në Greqi dhe donin t’u tregonin vendësve që ishin po aq të mirë sa ata. Vite të çuditshme. Greqia asnjëherë nuk e ka mundur Shqipërinë në Shqipëri, Shqipëria e paska mundur në Greqi!