Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kategoria Superiore

Cungu: Vuajtëm problemet në mesfushë, na mungoi edhe fati

Intervista e trajnerit të Kukësit, Armando Cungu, dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, pas sfidës që verilidnorët humbën me rezultatin 2-1 në transfertën ndaj Teutës në “Niko Dovana”.

Racionalë dhe cinikë në pjesën e parë, por vuajtët presionin në pjesën e dytë dhe pësuat atë përmbysje…
Unë mendoj se në përgjithësi djemtë kanë bërë një ndeshje shumë të mirë. U treguam cinikë në pjesën e parë dhe e mbyllëm në avantazh, ndërsa në të dytën e dinim që do të vuanim presionin e Teutës. Megjithatë duhet të them se i patëm mundësitë për të mbyllur ndeshjen, ku më flagranti ishte rasti me Rrocën, por nuk ia dolëm. Gabuam shumë edhe në mesin e fushës më pas, duke shkaktuar shumë faulle në afërsi të zonës, por si Limaj, ashtu edhe Dzaria, nuk ishin në maksimumin e tyre. Patëm edhe një mundësi me penalltinë, por ndodhi ajo që ndodhi. Futbolli është i tillë, që të ndëshkon edhe kur nuk e meriton, por Kukësi do të shohë përpara, pasi i ka mundësitë që të ndryshojë situatën.

Nëse Partizani shkon +11, besoni ende te gara për titull?
Patjetër që po, pasi ka ende edhe 14 javë për t’u luajtur. Nëse rregullojmë 2-3 probleme të vogla dhe kemi edhe pak fat, atëherë natyrisht që mund të bëjmë kampionatin tonë dhe të shpresojmë për arritjen e objektivave.

Qarkullonit mirë topin, por vuanit në rikuperim…
Është e drejtë, por e thashë që mesfushorët nuk ishin në gjendjen e tyre më të mirë dhe natyrisht që nuk arritën të shprehen maksimalisht. Po përgatitesha për ndërrime në 20 minutat e fundit, por goli i Prognit na ndryshoi planet, pasi nuk mund të mbroja më barazimin. I druhesha mesfushës së Teutës, që është shumë agresive dhe e fortë fizikisht, dhe rezultoi ashtu siç prisnim për fat të keq.

Shënuat një gol nga distanca dhe krijuat një mundësi me kundërsulm. Këto shifra duken pak për një skuadër si Kukësi…
Kukësi ka potencial dhe ka treguar se ka bërë një kampionat të shkëlqyeshëm. Ne e nisëm pak keq kampionatin, për shkak të ndryshimeve të shumta në organikë, por më pas erdhëm në rritje. Sot ne ishim tërësisht në ekuilibër dhe na duhej të menaxhonim mirë edhe ato telashet tona. Nuk mund të presonim lart Teutën, për shkak edhe të problemeve fizike në mesin e fushës. Ne sot shënuam një gol, krijuam 3-4 raste, goditëm një shtyllë, humbëm një 11-metërsh. Nuk e di çfarë mund të bëjmë më shumë në një transfertë të vështirë si kjo ndaj Teutës. Ka qenë pikërisht ky potencial dhe kjo cilësi, që kanë bërë që Kukësi të jetë këtu ku është, edhe pse luan të gjitha ndeshjet jashtë fushës së tij.

Pse vendosët të nisnit ndeshjen me Reginaldon si titullar?
E dija që ka gjendje shumë të mirë fizike dhe do të na ndihmonte shumë, ndërsa fusha më dha të drejtë. Më duket pak e vështirë që të luaj me të dy sulmuesit nga fillimi, por në varësi të fushës dhe kundërshtarit, do të zgjedh se cili do të nisë lojën si titullar, Reginaldo apo Shkurtaj.

E ke krijuar bindjen e me cilën skemë munde t’i marrësh më të mirën skuadrës?
Në fakt ekipi kishte krijuar një modul dhe fizionomi shumë të mirë në fazën e dytë, ku nuk pësuam për 6-7 javë. Me ardhjet e reja, normalisht që u mendua për të parë mundësi të tjera dhe për të ingranuar edhe futbollistë të tjerë në lojë. Këtë vendosje e provuam në ndeshjen me Tiranën, por edhe sot, ndaj unë jam i kënaqur me atë që shprehu skuadra. Kemi marrë lojtarë shumë cilësorë, por duhet që ata të përshtaten me skuadrën dhe unë nuk dua t’i vë në presion, por t’u jap kohën e duhur.

Keni marrë 4 penallti dhe keni shënuar 2. Keni ndonjë pishman që ia besuat goditjen Willianit?
Aspak, pasi ai ka gjuajtur penallti në mënyrë të vazhdueshme, edhe ndaj Skënderbeut. Në përgjithësi është një lojtar i qetë, por humbja e penalltisë u ka ndodhur edhe emrave shumë të mëdhenj, ndaj nuk kam pishmane në këtë pikë.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...