Një gol për tu kualifikuar. Kaq do ti mjaftonte Skënderbeut për të vazhduar ëndrrën europiane dhe të sigurojë biletën në fazën “play off” të Europa League. Megjithë humbjen 2-1 në Çeki, misioni përballë Mlada Boleslav, këtë të enjte në “Elbasan Arena” është mëse i mundur. Trajneri Ilir Daja e ka të qartë çfarë duhet të bëjë skuadra në fushë, për të arritur suksesin.
“Duhet të jemi të kujdesshëm, pavarësisht se duhet ta fitojmë ndeshjen. Të jemi shumë të ekuilibruar për të mos i lejuar kundërshtarit hapësira për të ndërtuar sulmet apo kundërsulmet. Duke iu referuar ndeshjes së parë, mendoj se në të gjitha aksionet e pjesës së parë, ia kemi dhuruar ne topin kundërshtarit, nuk kanë qenë aksionme të ndërtuara. Ne do të sulmojmë, por duhet të jemi shumë të ekuilibruar, si në administrimin e lojës, ashtu edhe në heqjen e mundësisë së kundërshtarit që të na sulmojë.”
Mbrojtësi Bajram Jashanica është në dyshim për shkak lëndimi, ndërsa me rikthimet e Sabien Lilajt dhe Xhejms, te Skënderbeu do të ndryshojë edhe manovra e lojës.
“Vetëm Jashanica është në pikëpyetje, pasi ka bërë stërvitje të diferencuar. Rikthehet Lilaj pas pezullimit me kartonë. Është rikthyer edhe Xhejms, që po stërvitet rregullisht me grupin. E kemi të gjithë grupin në dispiozicion. Besoj që do të ndryshojmë manovrën, të evitojmë gabimet në fazën e ndërtimit të aksioneve. Duhet që të sulmojmë patjetër, gjatë gjithë kohës, por duke qenë shumë të kujdesshëm, në mënyrë që kundërshtari ta ketë topin sa më pak që të jetë e mundur.”
Rikthimi i dy prej lojtarëve kryesorë të korçarëve, garanton cilësi, eksperiencë, por mbi të gjitha alternativa, nëse gjatë ndeshjes me Mlada Boleslav duhet ndryshuar diçka.
“Në një ndeshje futbolli nuk është i rëndësishëm moduli i lojës, por manovra në të dyja fazat e lojës. Me rikthimin e Lilajt, ekipi ka edhe më shumë frymëmarrje, sepse përveç potencialit që zotëron, Sabieni ka edhe eksperiencë në kompeticionet europiane, pra është një prej pikave të forta të ekipit, ashtu si edhe Xhejms. Duke u shtuar dy forca, edhe stoli është më i kompletuar dhe kemi avantazhin që mund të ndërhyjmë në çdo moment gjatë lojës.”
Trajneri Daja beson te mbështetja e tifozëve. Jo vetëm e atyre korçarë, por e të gjithë shqiptarëve. Sipas tij, ky do të jetë një motiv më shumë që Skënderbeu të kualifikohet.
“Tifozët? Besoj që do ti kemi të shumtë, sepse me mbështetjen e tyre ekipi ka një tjetër motiv. Por, mendojmë se përveç tifozëve tanë, duke qenë se jemi ekipi i vetëm që vazhdon rrugëtimin në Europa League, edhe tifozët e tjerë do të jenë në mbështetjen tonë në Elbasan. Bashkimi i të gjithë shqiptarëve për të qenë suport, dhe veçanërisht i tifozëve tanë të zjarrtë, do të jetë një motiv i shtuar dhe një mbështetje morale që na duhet patjetër.”
