Pasi shkëlqeu me Kombëtaren në miqësoren përballë Turqisë, ku bindi me kualitetin, qetësinë dhe manovrat në mesfushë, Sabien Lilaj do të mungojë tre javë nga fushat e lojës.
Gjatë ndeshjes që Shqipëria fitoi 3-2 në Antalia, 28-vjeçari pësoi një frakturë në dorën e djathtë, në pjesën e parakrahut dhe tashmë është i detyruar të mbajë allçi.
Lilaj shkëlqeu përballë Turqisë, ku luajti për 86 minuta dhe me paraqitjen e bërë duket se e ka bindur trajnerin Panucci për të qenë një prej alternativave për edicionin e ardhshëm në Ligën e Kombeve dhe kualifikueset e Europianit 2020.
Klubi korçar konfirmoi se mesfushori do të qëndrojë tre javë larg fushave të lojës, duke humbur edhe sfidën e kësaj të enjteje, përballë Flamurtarit në Vlorë.
Një mungesë e rëndësishme për Skënderbeun, që në trasfertën e Vlorës do të paraqitet në emergjencë të plotë dëmtimesh. Një tjetër element që trajneri Daja nuk do ta ketë në dispozicion në mesfushë, është Bakary Nimaga, që për shkak të një fatkeqësie familjare ndodhet në vendlindjen e tij në Mali.
Në mbrojtje i dëmtuar është Bajram Jashanica, ndërsa në shërbim të skuadrës nuk do të jetë as sulmuesi çek Martin Nespor. Megjithë mungesat me peshë, korçarët do të provojnë të marrin rezultat pozitiv në Vlorë, për të ruajtur ecurinë rekord në këtë kampionat, me 8 fitore dhe vetëm një barazim në 9 ndeshje, si edhe të ruajnë distancën e sigurisë nga rivalët për titull.
