Pas barazimit në start përballë Herthës së Berlinit, Bayerni i Mynihut reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme në transfertën përballë Schalke 04, ku ia doli të triumfojë me rezultatin e pastër 0-3.
Robert Lewandowski ishte ylli i mbrëmjes për bavarezët, pasi arriti të shënojë të tre golat e ndeshjes, të cilët bashkë me dopietën ndaj Herthës në start, e ngjisin në krye të listës së golshënuesve me 5 gola në dy ndeshje.
Polaku zhbllokoi sfidën me penallti në pjesën e parë dhe më pas arriti të dërgojë topin në rrjetë edhe dy herë të tjera në 45-minutëshin e dytë, duke konfirmuar se në majë të sulmit mbetet një garanci për skuadrën e Kovaç.
Vlen të theksohet se në sfidën e sotme debutuan edhe dy blerjet e reja të Bayernit, Philippe Coutinho dhe Ivan Perisiç, të cilët patën më shumë se 30 minuta në dispozicion, por nuk arritën të lënë gjurmë.