Armando Broja mund të duhet të qëndrojë për një periudhë të gjatë jashtë fushës së blertë pas dëmtimit që pësoi në miqësoren ndaj Aston Villa-s ditë e dielë.
21-vjeçari shqiptar u detyrua të dilte me barelë nga fusha e lojës pasi pësoi një dëmtim në gju, që u duk se ishte shumë serioz, aq sa sulmuesi u dëgjua të bërtiste me të madhe nga dhimbjet.
Nga mediet britanike raportohet se Broja mund të qëndrojë për disa muaj jashtë fushës së blertë.
Megjithatë ende pritet që sulmuesi i kombëtares “kuqezi” të kryejë të gjitha ekzaminimet mjekësore në mënyrë që të verifikohet përfundimisht shkalla e dëmtimit dhe të përcaktohet koha që Brojës do i duhet që të rekuperohet.
Broja ka qenë një lojtar i rregullt në skuadrën e Chelsea-t këtë sezon, duke shënuar një gol dhe duke dhënë një asist në 12 paraqitje në Premier League.
