Kombëtare

Dëmtimi i Roshit, sa shumë probleme për Panuccin në Kombëtare

Christian Panucci në alarm, fati i keq me dëmtimet përndjek edhe një tjetër lojtar të rëndësishëm të Kombëtares Shqiptare në pritje të debutimit në kompeticionin më të ri Nations League, që për Shqipërinë nis me përballjen ndaj Izraelit, më 6 shtator. Odise Roshi është dëmtuar në ndeshjen e fundit me Akhmat Groznin. 28-vjeçari ka lënë menjëherë tapetin e blertë dhe dyshimet e para janë për një dëmtim afatgjatë në ligamentet e gjurit, që mund ta lërë futbollistin për disa muaj jashtë fushe.

Gjithsesi, për të pritur diagnozën e saktë bashkë me kohën ekzakte të rikuperimit duhen pritur ekzaminimet e mëtejshme mjekësore. Roshi pritet t’i kryejë në një nga qendrat më të specializuara europiane, Villa Stuart në Romë, një klinikë ku kryejnë procedurat mjekësore lojtarët e skuadrave më në emër të kontinentit, duke shpresuar që të evitojë ndërhyrjen kirurgjikale dhe alarmi për një dëmtim afatgjatë të rezultojë fals. Gjithsesi, mungesa e tij për grumbullimin e radhës mund të konsiderohet e sigurt.

Një dhimbje koke më tepër për Panuccin, me dëmtimin e Roshit që i shtohet një listë të gjatë mungesash e situate problematike me disa nga lojtarët e rëndësishëm të Kombëtares. Një dëmtim të ngjashëm me Roshin ka pësuar dhe Armando Sadiku, që gjithashtu nuk do të jetë i disponueshëm për një kohë të gjatë, Amir Abrashi vuan një dëmtim dhe ndonëse ka nisur stërvitjen nuk është në formën optimale, ashtu si dhe Eros Grezda, ndërkohë që pritet rikthimi në kombëtare i Taulant Xhakës, që luajti për 90 minuta në Kupën e Zvicrës me Bazelin.

Ndërkohë disa futbollistë të tjerë të Kombëtares janë nën ethet e merkatos, me Mërgim Mavrajn apo Arlind Ajetin që u duhet që në këto ditë të fundit të gushtit të gjejnë një sistemim për të vazhduar karrierën, pas ndërprerjes së marrëdhënieve respektive me Hamburgun dhe Torinon.

Eventet Sportive në SuperSport

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency