Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

Dëmtohet Nadal, tërhiqet nga Australian Open, eliminohet dhe Dimitrov

Vetëm një ditë pas eliminimit të rekordmenit, 6 herë kampionit Novak Djokovic, Australian Open privohet gjithashtu edhe nga Rafael Nadal, sidoqoftë krejt ndryshe nga tenisti serb numri 1 i botës u tërhoq përpara kohe, për arsye dëmtimi, duke i hapur kështu rrugë kroatit Marin Cilic, që rikthehet në gjysmëfinale në Melbourne Park pas plot tetë vjetësh. Pas fitimit të setit hapës, duke patur parasysh edhe bilancin 5-1 në përballjet ndërmjet tyre, që të gjithë duhet të kenë menduar se vazhdimi i takimit në Rod Laver Arena për tenistin spanjoll do të ishte thjesht si një lojë fëmijësh. Në fakt duke lënë mënjanë suksesin e vetëm, të siguruar në përballjen e parë, në Pekin në vitin 2009, Rafa kishte fituar 11 nga 12 setet e fundit ndërmjet tyre, gjithsesi ndonëse u gjend në disavantazh të një seti dhe të një game me break numri 6 i botës nuk u demoralizua por përmbysi gjithcka, duke fituar krejt takimin në 3h 47′ lojë. Në setin e dytë tenisti kroat fitoi katër game-t e fundit, ndërkaq Cilic nuk lëshoi as pas humbjes së setit pasardhës, ndonëse pati tre mundësi për ta thyer tenistin iberik në servis, set të cilin Rafa e mbylli 7-5 në tie break. Shenjat e para të dëmtimit u vunë re në rezultatin 4-1 të setit të katërt në favor të 29-vjecarit kroat, kur fituesi i vitit 2009 kërkoi pushim për të mjekuar këmbën e djathtë, sidoqoftë që nga ai moment Nadal fitoi vetëm një game gjithsej, madje edhe atë duke përmbysur disavantazhin 0-40. Në setin final pasi i anuloi fillimisht plot pesë mundësi kundërshtarit 31-vjecari nga Majorka humbi shërbimet e tij dhe betejën kundër dhimbjeve, duke u dorëzuar përfundimisht pas vetëm 13′ lojë në setin përcaktues dhe Marin Cilic fitoi krejt takimin me shifrat 3-6, 6-3, 6-7, 6-2, 2-0, ndeshje ku Cilic regjistroi plot 83 goditje fituese kundrejt vetëm 39 të Nadalit. Vazhdon kështu mallkimi i Rafës në Australian Open, sepse pas trofeut të fituar në vitin 2009 tenisti iberik numëron finalen e vitit 2012, kur u mund pas plot gjashtë orësh nga Novak Djokovic, finalen me Wawrinka-n në vitin 2014 ku vazhdoi ndeshjen i dëmtuar, si dhe duelin epik me Roger Federer vitin e kaluar, po në finale. Interesant është fakti që ky është vetëm rasti i dytë kur Rafa tërhiqet, në 264 ndeshje në turnetë Grand Slam, pasi e njëjta gjë tenistit iberik i kishte ndodhur edhe në vitin 2010 po në Melbourne dhe po në fazën cerekfinale, me britanikun Andy Murray. Në konferencën për shtyp menjëherë pas takimit Nadal shpjegoi se ditën e mërkurë do t’i nënshtrohet skanerit, me rezonancë magnetike, për të kuptuar shkallën e dëmtimit, gjithsesi në rast se Roger Federer triumfon në Australian Open atëherë numri 1 i botës do ta shikonte veteranin zviceran vetëm 155 pikë poshtë vetes, në renditjen ATP. Në gjysmëfinale Marin Cilic do të përballet me tenistin britanik Kyle Edmund dhe në rast të një kualifikimi të mundshëm tenisti kroat do të pozicionohet drejt e në vendin e tretë në klasifikimin botëror. Vitin e kaluar tenisti i ri britanik u mund që në turin e dytë nga spanjolli Pablo Carreno Busta, ndërsa këtë herë numri 49 në rruzull mposhti numrin 3 të botës, bullgarin Grigor Dimitrov, 6-4, 3-6, 6-3, 6-4, që i njohu meritat 23-vjecarit të lindur në Johannesburg, ndonëse rezultati i pikëve në fund ishte thjesht 122-118, në një ndeshje që zgjati afërsisht tre orë, duke regjistruar njëherazi edhe suksesin më të madh në karrierë, sukses që i garanton që tani britanikut futjen mes 25 tenistëve më të mirë të botës. Te femrat u përcaktua gjithashtu gjysmëfinalja e parë e turneut dhe në pjesën e poshtme do të masin forcat numri 2 i botës Caroline Wozniacki me numrin 37 të renditjes WTA Elise Mertens. Në fushën qendrore Rod Laver Arena fillimisht ishte tenistja belge që shtangu 6-4, 6-0 numrin 4 të botës, ukrainasen Elina Svitolina, ndërsa tenistja daneze mundi 6-0, 6-7, 6-2 spanjollen Carla Suarez Navarro.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Bundesliga

Pritjes i erdhi fundi. Bayer Leverkusen është zyrtarisht kampion i Bundesliga-s, me skuadrën e Xabi Alonso-s që bëri detyrën edhe në sfidën e javës...