Derbi i fundit i sezonit duhet të gjente Tiranën dhe Partizanin, mes entuziasmit të titullit dhe mbërritjes së një vendi në Europë, por java e fundit duket se përmbysi pritshmëritë te dy ekipet. Sfida e kësaj të premte e zgjedhur për t’u luajtur në “Air Albania” duket se u zvenit për shkak të ngjarjeve që ndodhën, me Tiranën që mes turpit të paraqitjes në Ballsh dhe humbjes me rivalin direkt Kukësi, e gjen tashmë veten disi të zbehur përpara derbit. Ndërkohë që Partizani i mbetur pothuajse jashtë garës për Europën, gjithashtu duket i zhveshur nga objektivat. Nëse për Tiranën sfida direkte me Partizanin do të thoshte zyrtarisht titull kampion, në rast të fitimit të takimit me Kukësin, tanimë bardheblutë do të jenë të karikuar vetëm për të mos humbur ritmin e titullit për ta zgjidhur atë sa më shpejt të jetë e mundur.
Ndërkohë te Partizani, më tepër ky duel ka shijen e suksesit ndaj rivalit direkt dhe ajo humbje me shuplakë golash në derbin e fundit nuk mund të kapërdihet aq thjeshtë. Gjithsesi përtej përmbysjeve dhe planeve të përgatitura për këtë derbi, e veçanta e sfidës është se ajo mbetet përballja më e nxehtë e futbollit në Shqipëri dhe një derbi, dhe pse me skuadrat paksa të zvenitura nga java e fundit, mbetet sfida që duhet fituar me çdo kusht. Pavarësisht nëse rivali në fund merr titullin, apo nuk shkon në Europë, derbi deri në sfidën e radhës do të jetë sërish një motiv krenarie për të dyja tifozeritë, për të vënë në lojë e për të ngritur argumenta mbi rivalin, si sfida kur ekipi yt triumfoi mbi rivalin më të zjarrtë.
Gazetar: Andi Deçka