Connect with us

Hi, what are you looking for?

Itali

Derbi i Madonninës zhvendoset në Kupë, Interi sfidon Milanin për finalen

Interi dhe Milani bëhen gati për t’u përballur për herë të katërt në këtë sezon dhe derbi i famshëm i kryeqendrës lombarde këtë radhë do të zbulojë edhe ekipin e parë finalist, për sa i përket edicionit të 75-të Kupës së Italisë. Bëhet fjalë pra për një edicion jubilar që do të kulmojë me finalen e madhe, që do të luhet më 11 maj në “qytetin e Përjetshëm”, në Stadiumin Olimpik të Romës.

Sfida e tretë në harkun e dhjetë javëve ndërmjet dy prej klubeve më të titulluar në Apenine. Në vetëm 73 ditë këto dy skuadra janë ndeshur si në kupë ashtu edhe në kampionat, sidoqoftë vlen të theksohet fakti që kuqezinjtë janë të pamundur në këtë sezon në përballjet mes tyre. Në ndeshjen e vajtjes më 1 mars ekipi i drejtuar nga trajneri Stefano Pioli u shfaq dominues, sidomos në pjesën e dytë, megjithatë takimi i parë i fazës gjysmëfinale përfundoi në barazim, me rrjeta të paprekura.

Këtë herë në sfidën e kthimit ekipi zikaltër konsiderohet si pritës, kështu që skuadra e Milanit ka favorin e dy rezultateve, për të siguruar finalen e parë të këtij aktiviteti, që nga viti 2018, kur për hir të së vërtetës kuqezinjtë nën drejtimin e Gennaro Gattuso-s u shpartalluan nga Juventusi me katër gola në pjesën e dytë, më saktë bëhet fjalë për katër gola të shënuar në vetëm 20 minuta lojë.

Dy skuadrat milaneze janë protagoniste gjithashtu edhe në Serinë A, ku Milani për momentin kryeson dhe ka avantazhin e vetëm dy pikëve, gjithsesi kur mbeten edhe pesë javë për t’u luajtur zikaltërit pozicionohen në vendin e dytë dhe kanë për të rekuperuar të mërkurën tjetër edhe takimin e prapambetur me Bolonjën në Stadiumin Dall’Ara. Kurioz është fakti që krejt ndryshe nga krerët e UEFA-s drejtuesit e futbollit italian nuk e kanë zhvlerësuar akoma rregullin e golave të shënuar jashtë fushe, prandaj ekipi i Milanit ka favorin për t’u kualifikuar për në finale me çfarëdo lloj barazimi me gola.

Përpara sfidës së kthimit trajneri i Interit Simone Inzaghi deklaroi se këtë sezon skuadra e tij mund të kishte marrë diçka më shumë në tre përballjet e para ndaj kuqezinjve. Ndonëse nuk e ka provuar akoma shijen e fitores në “Derbin e Madoninës” 46-vjeçari emilian premtoi në konferencën për mediat e ndryshme se formacioni i tij do të jetë tepër i motivuar për duelin e kthimit, pasi futbollistët janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka për tifozët një përballje e tillë. Zikaltërit triumfuan në Superkupën e Italisë, pikërisht në Stadiumin Giuseppe Meazza, ku kampionët në fuqi përmbysën disavantazhin e Ëeston McKennie-t, duke barazuar fillimisht brenda fraksionit hapës me anë të argjentinasit Lautaro Martinez, për të mundur 2-1 Juventusin në momentet e fundit të kohës shtesë, kur dy skuadrat po bëheshin gati për gjuajtjet e 11-metërshave, falë golit të realizuar në 121’ nga sulmuesi kilian Alexis Sanchez.

Vendasit duket se e hodhën pas krahëve ecurinë e barazimeve, duke koleksionuar tre fitore radhazi ndaj Juventusit, Veronës dhe Specias. Simone Inzaghi shtoi se lojtarët e tij do të duhet të ruajnë përqëndrimin e duhur për 95 minuta, për të mos përsëritur gabimet e së kaluarës, madje trajneri nga Piacenza gjeti kohë gjithashtu edhe për të qetësuar tifozët, duke premtuar se drejtuesit e klubit po bëjnë çmos për të gjetur verën e ardhshme një zëvendësues në qendër për mesfushorin kroat Marcelo Brozovic, mungesa e të cilit nxorri në pah jo pak probleme, në aspektin e lojës.

Në krahun tjetër situata duket e qetë për momentin dhe Stefano Pioli foli për mbështetjen e marrë nga krerët e klubit, të cilët nga ana e tyre organizuan me rastin e pashkëve një “barbecue” në qendrën Stërvitore në Milanello, me praninë edhe të vetë familjarëve të futbollistëve. Me Florenzi-n jashtë mbetet për t’u vlerësuar deri përpara ndeshjes gjendja e dy mbrojtësave me peshë, si Alessio Romagnoli dhe Davide Calabria, që kanë detyra të rëndësishme në gjirin e ekipit, përkatësisht në rolet e kapitenit dhë zëvendëskapitenit të skuadrës.

Kuqezinjtë në fakt janë nën presion, pasi kanë barazuar 2 nga 3 sfidat e fundit në kampionat, madje pa shënuar fare ndaj skuadrave si Bologna dhe Torino, për më tepër edhe fundjavën e kaluar ata fituan me shumë vështirësi ndaj një kundërshtari si Genoa, që mbyll klasifikimin e kampionatit italian. Ekipi I Milanit vërtet nuk njeh disfatë në 11 javët e fundit të Serisë A, por sidoqoftë të besuarit e Piolit kanë barazuar pothuajse gjysmën e këtyre takimeve. 56-vjeçari nga Parma u mundua t’i siguronte gazetarët se pavarësisht rezultatit në sfidën e kthimit, fati i këtij takimi nuk do të ndikojë në ecurinë e mëtejshme në kampionat.

Miqtë kanë plot 19 vjet që nuk i vënë duart te trofeu i dytë më i rëndësishëm në gadishull, pra që nga viti 2003. Kuqezinjtë të cilët kanë triumfuar vetëm 5 herë në Kupën e Italisë synojnë finalen e 15 në këtë aktivitet, ndërsa Interi konsiderohet si klubi i tretë më i sukseshëm i këtij kompeticioni, pas Juventusit dhe Romës që krenohen respektivisht me nga 14 dhe 9 Kupa Italie.

Zikaltërit kanë fituar 7 nga 13 finalet e luajtura në këtë aktivitet dhe vendasit mungojnë në takimin përmbyllës të këtij kompeticioni që nga viti 2011, kur Interi I Leonardos mundi 3-1 në Romë skuadrën e Palermos. Në sfidat e kampionatit me ekipin e Milanit si pritës kuqezinjtë fillimisht ia dolën për të rrëmbyer një pikë, duke barazuar 1-1, në një takim ku Lautaro Martinez shpërdoroi një 11-metërsh, ndërsa në fazën e dytë formacioni I Piolit bëri një përmbysje epike në cerek orën e fundit, me dy gola në harkun e vetëm tre minutave nga sulmuesi veteran francez Olivier Giroud.

Ndeshja Inter – Milan do të luhet në orën 21:00 si zakonisht në Stadiumin San Siro dhe dueli i parë nga takimet e kthimit të fazës gjysmëfinale të këtij edicioni të Kupës së Italisë i është besuar arbitrit 40-vjeçar roman Maurizio Mariani.

Lajme të tjera

Futboll

Skuadra e Mechelen, e drejtuar nga Besnik Hasi, rikthehet tek fitorja në kampionat belg në play off-in e grupit të Conference League. Pas humbjes...

Futboll

Fernando Santos nuk është më trajner i Beshiktashit, ka bërë të ditur klubi nga Stambolli këtë të shtunë. Vendimi u mor pas barazimit (1-1)...

Kosovë

Gafë e pafalshme e Arijanet Muric në Premier League. Portieri titullar i Kosovës, pjesë e Burnleyt në kampionatin më të bukur në botë, i...

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...