Connect with us

Hi, what are you looking for?

Futboll

Derbi londinez në finalen e play off-it në Championship!

Gazetar: Alked Gjebrea

Ndeshja më e pasur e sezonit në rruzull për vitin 2020 do të jetë Brentford – Fulham. Ekipi i 20 i edicionit të ardhshëm në Premier League do të përcaktohet pikërisht nga derbi londinez, që do të zhvillohet të martën e ardhshme dhe aty do të mësohet edhe skuadra që do t’i bashkangjitet dy klubeve si Leeds United dhe West Bromëich Albion, që e fituan të drejtën për t’u ngjitur në elitën e futbollit anglez mënyrë të drejtpërdrejtë, nga klasifikimi përfundimtar i sezonit të rregullt. Fulham fitoi të drejtën për të shkuar në takimin përmbyllës të sezonit pasi eliminoi klubin uellsian Cardiff City, me rezultatin e përgjithshëm 3-2. Një kualifikim shumë i mundimshëm për “cottagers”, që vuajtën deri në sekondat e fundit, pavarësisht se në ndeshjen e vajtjes ekipi i Fulham-it kishte triumfuar me shifrat 2-0, brenda në Cardiff City Stadium. Skuadra e drejtuar nga trajneri Scott Parker e filloi qetë takimin, duke e nënvlerësuar në njëfarë mënyre kundërshtarin dhe për rrjedhojë “bluebirds” zhbllokuan rezultatin që në fillim me anë të mbrojtësit Curtis Nelson, që shënoi me kokë pas një goditjeje nga këndi. Vendasit barazuan vetëm një minutë më vonë me anë të mesfushorit nga Republika Demokratike e Kongos Neeskens Kebano, që shfrytëzoi më së miri topin e dërguar në zonë nga Bobby Reid.

Në pjesën e dytë vetëm 80” nga starti dhe hyrja në fushë si zëvendësues, sulmuesi Lee Tomlin riktheu epërsinë për ekipin e drejtuar nga trajneri Neil Harris nga fare pranë portës, nga një aksion që filloi pas një rivënie të gjatë me duar, nga “specialisti” Will Vaulks. Në Craven Cottage të trembur nga disavantazhi futbollistët e Fulham-it u tërhoqën prapa, ndërsa lojtarët e Cardiffit këmbëngulën gjatë në kërkim të golit të tretë. Kështu në mesin e fraksionit të dytë vendasit i shpëtoi portieri i ri sllovak Marek Rodak, ndërkohë pas topit të kthyer Will Vaulks qethi traversën. Drithërima pati gjithashtu edhe në sekondat e fundit, kur sulmuesi gjerman Robert Glatzel ktheu fluturimthi një top që kaloi shumë pranë traversës. Fitorja me rezultatin 2-1 në fund nuk mjaftoi për “bluebirds” dhe në këtë mënyrë futbollistët e Fulham-it e gjejnë veten vetëm një ndeshje larg rikthimit në Premiership, ku “cottagers” mungojnë prej gjashtë sezonesh. Shorti në fazën gjysmëfinale si për ironi të fatit kishte vënë përballë dy skuadra londineze kundër dy klubeve nga Uellsi, gjithsesi edhe në këtë rast të drejtën për të luajtur ndeshjen më të pasur në planet në rang klubesh e fitoi ekipi kryeqytetas i Brentford-it. Vendasit zhvilluan një ndeshje të madhe, pikërisht në takimin e lamtumirës në shtëpinë e tyre 116-vjecare, Stadiumin Griffin Park.

Skuadra e “mjellmave” u paraqit në kryeqytet e fortë pas triumfit 1-0 në Liberty Stadium, sidoqoftë “bees” përmbysën gjithcka pas vetëm cerek ore lojë. Miqtë në mënyrë naive pësuan teksa ishin hedhur përpara në gjysmëfushën tjetër dhe sulmuesi Ollie Watkins finalizoi i qetë një kundërzbritje të shpejtë të nisur që nga portieri spanjoll David Raya. Vetëm pak minuta më vonë dyfishoi shifrat me kokë nga shumë pranë pikës së 11-metrave mesfushori danez Emiliano Marcondes, ndërsa golin e tretë “bletët” e realizuan sapo filloi pjesa e dytë, me anë të francezit Bryan Mbeumo, që sulmoi shtyllën e parë, për të dërguar në rrjetë topin e krosuar nga Rico Henry.

Goli i vetëm për “the swans” u shënua 12’ para fundit nga sulmuesi i ardhur në formë huazimi nga Liverpuli Rhian Brewster dhe erdhi pas gabimit të rëndë të kapitenit të vendasve, mbrojtësit suedez Pontus Jansson, sidoqoftë ekipi i drejtuar nga trajneri danez Thomas Frank ia doli për të ruajtur avantazhin 3-1 dhe falë rezultatit të përgjithshëm 3-2 klubi i Brentfordit tashmë është vetëm një ndeshje larg rikthimit në elitën e futbollit anglez të klubeve, ku “bletët” mungojnë që nga viti i largët 1947. Kurioz është fakti që Brentfordi dhe Fulhami kanë një rivalitet të ashpër ndërmjet tyre dhe kjo është një ndër sfidat që përjetohet më shumë nga dy tifozeritë respektive. Takimi final i fazës play off të Championship-it, pra derbi londinez Brentford – Fulham do të luhet të martën e ardhshme në orën 20:45, si zakonisht në stadiumin mitik të kryeqytetit Wembley.

Lajme të tjera

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...

Champions League

Champions League do të nisë sezonin e ri me një formulë të re, teksa rrugëtimi do të startojë nga një grup i vetëm, me...

Kombëtare

Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin...