Dy futbollistët e kombëtares shqiptare, qendërmbrojtësi Arlind Ajeti dhe mesfushori Ledian Memushaj, do të sfidojnë njëri-tjetrin, në takimin e sotëm të Serisë A, mes Crotones dhe Beneventos. Sfida do të luhet në orën 15:00 dhe si Ajeti për Crotonen, ashtu edhe Memushaj për Beneventon, pritet të aktivizohen nga minuta e parë.
Arlind Ajeti është një titullar i padiskutueshëm te Crotone dhe cilësohet si një lider I prapavijës së ekipit të tij, nga mediat italiane. Nga ana tjetër, edhe Memushaj u kërkua me ngulm nga trajneri i Beneventos, i cili e shikon vlonjatin titullar në formacionin e tij.
Të dy futbollistët janë emra majft të rëndësishëm edhe për kombëtaren kuqezi, ndërsa vlen të përmendet se te Benevento e Memushajt aktivizohet edhe qendërmbrojtësi tjetër i Shqipërisë, Berat Gjimshiti. Ky i fundit ende nuk e ka bërë debutimin në Serinë A, ndërsa prej dy javësh vuan nga një dëmtim dhe nuk do të jetë i gatshëm për ekipin e tij.
Crotone dhe Benevento janë ekipet që mbylin renditjen e Serisë A, ndaj takimi i sotëm do të jetë mjaft i rëndësishëm, sepse shikohet si një përballje direkte në garën për mbijetesë mes më të mirëve të Italisë.
