Nga vendimet e komisionit të Disiplinës lidhur me ngjarjet e javës së 15-të e kanë pësuar dy klube, Bylisi dhe Partizani. Për protesta ndaj vendimeve të gjyqtarëve trajneri i ballshiotëve Veljko Dovedan është pezulluar me 2 ndeshje të cilat duhet t’i ndjekë nga tribuna ndërsa klubi i Bylis është dënuar me 100 mijë lekë të reja gjobë. Dyfish ka qenë gjoba për Partizanin për dëmet që futbollistët e klubit të kuq kanë shkaktuar në dhomat e zhveshjeve të stadiumit Elbasan Arena, pas triumfit në derbin ndaj Tiranës.
Vendimet e Komisionit të Disiplinës:
Zyrtari i KF Bylis, Veljko Dovedan, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 55/2 të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
KF Bylis, për dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive, në bazë të neneve 64/1, dhe 64/5 të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
FK Partizani, për dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive, në bazë të neneve 64/1, dhe 64/5 të KDS, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë. FK Partizani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në dhomat e zhveshjes në Stadiumin “Elbasan Arena” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.
FK Partizani, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të mosvendosjes së stemave në fanellat e lojës, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.
Rrëzimin e kërkesës së Tirana – AS Femra, në lidhje me lojtaren Anisa Kotarja, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive.
