Connect with us

Hi, what are you looking for?

Europa League

“Djajtë e Kuq” përballë ekspertëve andaluzë, sonte mësohet finalisiti i parë

Përgatiti: Alked Gjebrea

Europa League gati për formatit “final four”. Ashtu si sfidat çerekfinale edhe ndeshjet e fazës gjysmëfinale do të vazhdojnë përsëri në Gjermani, pa praninë e spektatorëve, ndërsa takimi përmbyllës, pra finalja e madhe do të luhet në qytetin e Këlnit, në “RheinEnergieStadion”, më datë 21 gusht. Për të mësuar emrat e dy skuadrave finaliste duhet pritur mbrëmja e ditës së hënë, kur në “Merkur Spiel – Arena” të Dyseldorfit do të zbresin në fushë Interi dhe Shaktari i Donjetskut, ndërsa takimi i parë gjysmëfinal, Sevilla – Manchester United, luhet këtë të diel në mbrëmje në qytetin e Këlnit, pra pikërisht në “RheinEnergieStadion”.

Sezonin e kaluar në këtë fazë u përball Arsenali me Valencian dhe Chelsea me Eintracht-in e Frankfurtit, ndërsa sivjet në këtë raund spikat një tjetër duel anglo – spanjoll. Një ndeshje e madhe ndërmjet dy klubeve që fituan katër edicione rresht në këtë kompeticion, nga 2014 deri në vitin 2017. Skuadra andaluze përfaqëson klubin absolutisht më të suksesshëm të këtij aktiviteti, me një histori që filloi të skalitet që në sezonin 2005-06, kur nën drejtimin e trajnerit Juande Ramos Sevilja shkatërroi 4-0 në “Philips Stadion” Middlesbrough-n e Steve McClarenit, për të siguruar në këtë mënyrë edhe trofeun e parë të klubit në historinë e Kupave të Evropës.

Një rrugëtim i bukur që ndryshoi vërtet shumë historinë e Kupës UEFA, për të kulmuar më pas pikërisht në aktivitetin e ndryshuar, nëpërmjet formatit dhe emrit me të cilin është pagëzuar struktura e re, Europa League, deri në atë pikë sa për të pasuruar koleksionin jo edhe aq të pasur deri në atë kohë, me plot 5 trofe nga kompeticioni i dytë më i rëndësishëm i Kupave të Evropës.

Vitet kalojnë dhe për çudi klubi i njohur andaluzian ia del kohë pas kohe të shfaqet plot madhështi në nivelet më të larta të këtij kompeticioni, ndërkohë, në krahun tjetër, me kupën e fituar në “Friends Arena” të Stockhholmit, pas triumfit të arritur nga skuadra e drejtuar nga Jose Mourinho në finale ndaj Ajaksit të Amsterdamit, klubi i famshëm anglez ia doli për të kompletuar librin e artë të sukseseve me të vetmin trofe që mungonte.

Si Sevilja ashtu edhe Manchester United tani kanë mundësinë për të mbyllur sezonin me një trofe, sidoqoftë dy klubet e kanë përjetuar një sezon të tillë në mënyrë krejtësisht të ndryshme. Nëse skuadra andaluziane ka qenë pothuajse gjatë gjithë kohës brenda zonës Champions, në anën tjetër “Djajtë e Kuq” djersitën jashtëzakonisht shumë për të siguruar kualifikimin për në katër ekipet më të mirë të Premier League-s, në javën e fundit dhe pikërisht në kurriz të “dhelprave” të Leicester City-t.

Të dy ekipet paraqiten në gjysmëfinale pas fitoreve minimale dhe tepër të vuajtura. Kështu “Red Devils” patën nevojë për kohën shtesë për të kaluar Kopenhagenin, ndërsa Sevilja në turin çerekfinal pati një tjetër duel anglo – spanjoll, me Wolverhampton Wanderers, takim ku sulmuesi meksikan i “ujqërve”, Raul Jimenez, shpërdoroi një 11-metërsh pa u mbushur as çerek ore lojë, ndërsa goli i fitores u shënua vetëm dy minuta para fundit, nga 26-vjeçari argjentinas Lucas Ocampos.

Një sfidë tepër interesante në distancë pritet të jetë edhe ajo ndërmjet trajnerëve, Lulen Lopetegui dhe Ole Gunnar Solskjaer, të cilëve natyrisht iu mungon eksperienca në nivele të tilla, gjithsesi i vetmi lojtar që do të mungojë nga emrat e rëndësishëm është mbrojtësi i majtë i “Djajve të Kuq” Luke Shaw. “Red Devils” kanë në gjirin e tyre golashënuesin më të mirë të sezonit në këtë kompeticion, mesfushorin portugez Bruno Fernandes, që pas mbërritjes në muajin janar ndryshoi gjithë historinë e këtij sezoni te United. Duke përfshirë edhe golat e realizuar me “luanët”, Bruno Fernandes ka gjetur rrjetën 7 herë gjatë këtij edicioni, në 3 rastet e fundit madje nga pika e bardhë, ndërsa nga prapa ndjekin Munir El Haddadi dhe Mason Greenwood me nga 5 gola. “Djajtë e Kuq” kanë në gjirin e tyre edhe dy nga shërbyesit më të mirë të këtij aktiviteti, duke patur parasysh që Juan Mata numëron 5 asist, ndërsa 25-vjeçari luzitan krenohet me 4 të tillë, sidoqoftë futbollistët e do të duhet të mendojnë patjetër për të bllokuar organizatorin Ever Banega, që ka eksperiencën e duhur dhe duket në formë të shkëlqyer.

Sevilja nuk është mundur që nga muaji shkurt dhe numëron plot 19 ndeshje pa humbje në të gjithë kompeticionet, sakaq 5 sfidat e fundit skuadra e Lopeteguit nuk ka pësuar fare gol. Në krahun tjetër mbrojtja e skuadrës andaluziane duhet të bëjë kujdes për të mos shkaktuar ndërhyrje të gabuar brenda zonës për të evituar në këtë mënyrë ndëshkimin me penallti, duke patur parasysh që United ka përfituar plot 21 11-metërsha gjatë këtij sezoni në të gjithë aktivitetet.

Dy vjet më parë Sevilja barazoi pa gola në Ramon Sanchez Pizjuan dhe më pas ia doli për të fituar 2-1 brenda në “Old Trafford”, duke eliminuar kështu skuadrën që asokohe drejtohej nga Jose Mourinho që në fazën e 1/8 nga Championsi. Skuadra andaluziane numëron 4 fitore dhe 2 barazime ndaj ekipeve angleze dhe nuk njeh fare humbje në Kupën UEFA apo Europa League nga këto përballje.

Në krahun tjetër United, përveçse nuk e ka mposhtur asnjëherë në histori skuadrën e Seviljes ka gjithashtu edhe një bilanc tepër negativ me ekipet spanjolle, në historinë e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm të Kupave të Evropës, duke fituar thjesht 1 nga 6 ndeshjet e luajtura. Takimi do të zhvillohet në orën 21:00 në “RheinEnergieStadion” dhe do të drejtohet nga kryesori gjerman Felix Brych.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...