Një nga afrimet më cilësore të Vllaznisë gjatë verës ka qenë edhe emërimi i kroatit Matko Djarmati si drejtor teknik dhe sportiv. Ish-lojtari i Dinamos e ka bërë në mënyrën më të mirë punën e tij duke ndërtuar një skuadër të fortë me lojtarët që ka afruar në skuadër gjatë verës dhe shpërblimin Vllaznia e ka marrë në 2 javët e para të kampionatit. Djarmati mori vendin e trajnerit Brdaric dhe doli në konferencë për shtyp për të folur për sfidën e 1/8-ave të Kupës që Vllaznia do ta luajë këtë të premte ndaj Elbasanit, me drejtorin teknik që la të kuptohet se vëmendja e kuqebluve është e gjitha te sfida ndaj Elbasanit dhe jo te derbi i Shqipërisë ndaj Tiranës për kampionat.
“Nesër kemi ndeshjen për Kupë me Elbasanin. Nuk kemi asnjë dëmtim, shpresojmë të shkojë ndeshja mirë. Nuk kemi shumë ìnformacion nga Elbasani. S’kemi një video, por nga informacionet që kemi marrë nga Berati në ndeshjen e parë dhe Rrogozhina të dytë, besoj kemi ìnformacionin e duhur. Megjithatë them se e njohim këtë skuadër mjaftueshëm. Objektivi është të shkojmë sa më lart. Kupa është objektiv i klubit tonë dhe ne do të tentojmë t’i shkojmë deri në fund”, tha Djarmati, ndërkohë që më pas ai iu rikthyer edhe fitoreve të marra në kampionat kundër Apolonisë dhe Skënderbeut”.
“Për mua nuk ishin surprizë këto dy fitore në kampionat. Kemi luajtur me dy ekipe që nuk janë në nivel të lartë, por përsëri është kampionat shqiptar dhe ndeshjet janë shumë të vështira”, shtoi kroati, i cili kërkon të largojë vetëkënaqësinë”.
“Absolutisht nuk e pranojmë euforinë në ekip. As stafi teknik. Duhet të pyesni dhe lojtarët, nuk është ndonjë gjë e madhe çfarë kemi bërë deri tani. Nuk ka vend për eufori”, deklaroi Djarmati, i cili më pas pyetet nëse kanë nisur të mendojnë që tani për sfidën e kampionatit me Tiranën”.
“Deri tani jo. Ishte Elbasani përpara dhe punojmë për Elbasanin. Kemi mjaft kohë, një javë, 10 ditë deri në takimin me Tiranën. Deri tani kemi punuar vetëm për Elbasanin”, përfundoi Matko Djarmati, i cili në lidhje me formacionin u shpreh se është kompetencë e trajnerit dhe ai vendos”.
