Connect with us

Hi, what are you looking for?

Premier League

Doherty transferohet te Tottenham, Mou përforcon krahun e djathtë të mbrojtjes

Tottenham Hotspur firmos me mbrojtësin e përfaqësueses irlandez Matt Doherty. Jose Mourinho përforcon në këtë mënyrë repartin e prapavijës me një ndër mbrojtësit më të mirë të Premier League-s dhe Doherty bëhet futbollisti i tretë që afrohet në gjirin e “spurs” këtë verë. Ekipet e trajnerit të famshëm portugez kuptohen pak a shumë që nga reparti i tërhequr dhe skuadrat e suksesshme të 57-vjeçarit luzitan shquhen pikërisht rendimentin e lartë në fazën mbrojtëse.

Tottenhami u shfaq krejt ndryshe në momentin e rifillimit të Premier League-s, në mesin e muajit qershor dhe skuadra u ndëshkua me vetëm 3 gola në 6 sfidat e fundit, duke e mbyllur kampionatin në vendin e gjashtë, pra brenda zonës evropiane, e si për ironi të fatit në sajë të golaverazhit më të mirë, pikërisht përpara Wolves, që mbetën jashtë Kupave Evropiane, sidoqoftë në bilancin përfundimtar ekipi londinez e mbylli sezonin me 47 gola të pësuar dhe më pak gola se “spurs” pësoi edhe një ekip si Sheffield United, që u ngjit pikërisht edicionin e kaluar nga Championship-i.

Ekipit iu largua mbrojtësi me eksperiencë Jan Vertonghen, që u transferua në Ligën portugeze te “shqiponjat” e Benfica-s, megjithatë problemet më të mëdha Mourinho i ka patur pikërisht në krah, sidomos në anën e djathtë. 57-vjeçari i besoi vazhdimisht ish-lojtarit të Paris SG Serge Aurier, por 27-vjeçari nga Bregu i Fildishtë nuk është aspak i besueshëm, pasi skuadra londineze është ndëshkuar vazhdimisht për shkak të gabimeve të tij të rënda, në fazën mbrojtëse.

“Gjelat” tani forcohen ndjeshëm pikërisht me blerjen e futbollistit irlandez, që luan si mbrojtës i djathtë, megjithatë 28-vjeçari nga Dublini mund të përdoret fare mirë edhe si mesfushor në anë e djathtë të fushës, apo qoftë edhe si mbrojtës i majtë, detyra që i ka mbuluar shkëlqyeshëm në të kaluarën për “ujqërit” e Wolverhampton-it. Kështu bosi i klubit Daniel Levy ia ka dalë për të përforcuar ekipin në një hallkë vërtet shumë të dobët, duke shpenzuar vetëm 16,8 milionë euro gjithsej.

Levy është i famshëm si një ndër personat më të vështirë të këtij sporti për të hyrë në bisedime, kur bëhet fjalë për merkato, pasi është i njohur si një ndër njerëzit më dorështrënguar dhe kokëfortë në botën e futbollit, megjithatë shumë mendohet të ketë influencuar edhe marrëdhënia e shkëlqyer që ka trajneri Jose Mourinho me bashkëkombësin e tij, menaxherin Jorge Mendes, që nga 2010 – 2019 ka fituar plot dhjetë herë rresht çmimin “Globe Soccer Awards”, si menaxheri më i mirë i vitit.

Influenca e 54-vjeçarit nga Lisbona është e padiskutueshme te “ujqërit”, madje katër vjet më parë Jorge Mendes përforcoi klubin nga West Midlands me plot 12 futbollistë në harkun e vetëm 6 javëve. Matt Doherty ka qenë një pjesë shumë e rëndësishme e Wolverhampton Wanderers gjatë dekadës së fundit dhe mbrojtësi irlandez arriti një marrëveshje 4-vjeçare me drejtuesit e Tottenham-it. Marrëveshja fillimisht u ndërlikua pas refuzimit të mbrojtësit të djathtë Serge Aurier për të kaluar te Wolves, gjithsesi tanë në mënyrë të kuptueshme 27-vjeçari nga Bregu i Fildishtë pritet të transferohet në Serinë A, në radhët e kuqezinjve të Milanit.

Matt Doherty u transferua te Wolverhampton-i në vitin 2010 dhe mbrojtësi i djathtë është aktivizuar si titullar te “ujqërit” prej shtatë sezonesh. Pas mbërritjes së tij nga klubi irlandez i Bohemiansit drejtuesit e çuan mbrojtësin për të fituar eksperiencë në formë huazimi te ekipe si Hiberniansi i Edinburgut në Skoci dhe Bury, klub pranë zonës së Manchester-it, që luan vazhdimisht në ligat inferiore të Anglisë, gjithsesi 28-vjeçari numëron më shumë se 300 ndeshje me fanellën e Wolves.

Pasi përfundoi edhe vizitat mjekësore Matt Doherty deklaroi se është krenar që do të vijojë karrierën e tij te Tottenham Hotspur, një klub i madh që sipas tij ka stadiumin dhe fushën stërvitore më të mirë në planet. Doherty pranoi se pavarësisht kohës fantastike që ka kaluar në West Midlands, oferta e Tottenham-it ishte nga ato që nuk mund të refuzohen dot dhe mbrojtësi shpreson që me një transferim të tillë të arrijë edhe hopin e duhur cilësor, në këtë fazë të karrierës.

Doherty është aktivizuar në 36 takime në kampionat përgjatë sezonit 2019-20 nga trajneri Nuno Espirito Santo dhe mbrojtësi irlandez ka pjesën e tij të kontributit në vendin e shtatë në Premiership si dhe mbërritjen deri në fazën çerekfinale të Europa League-s, madje sfida Wolves – Sevilla ishte edhe ndeshja e tij e fundit me fanellën e Wolverhampton-it. Më herët te Tottenham Hotspur u transferuan mesfushori Pierre–Emile Hojbjerg nga Southampton-i si dhe portieri veteran Joe Hart.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Bundesliga

Pritjes i erdhi fundi. Bayer Leverkusen është zyrtarisht kampion i Bundesliga-s, me skuadrën e Xabi Alonso-s që bëri detyrën edhe në sfidën e javës...