Andreas Ndoj refuzon Kombëtaren e Shqipërisë. Futbollisti i Olympiakos ka vendosur që të mos bashkohet me skuadrën kuqezi, teksa i është përgjigjur negativisht ftesës së trajnerit Edoardo Reja për dy ndeshjet miqësore ndaj Italisë dhe Armenisë.
Mesfushori 19-vjeçar ka njoftuar Federatën Shqiptare të Futbollit për zgjedhjen e tij, duke deklaruar se vendimi përfundimtar është që të jetë pjesë e përfaqësueses greke.
Ndoj ishte pjesë e skuadrës së 21-vjeçarëve në dy ndeshjet miqësore që u luajtën muajin e shkuar, ku edhe u aktivizua, megjithatë, tani situata ka ndryshuar, teksa vetë lojtari ka vendosur që të përfaqësojë Greqinë dhe jo Shqipërinë.
Federata Shqiptare e Futbollit iu drejtua fillimisht homologëve në Greqi për të konfirmuar se Ndoj nuk ka luajtur me ekipin e parë të helenëve, çka i krijojnë kushtet për t’u bashkuar me skuadrën kuqezi, shkresë që daton në 15 tetor dhe gjashtë ditë më vonë federata greke vuri në dijeni me një shkresë zyrtare, ndeshjet e moshave ku 19-vjeçari ishte aktivizuar.
Situata e Ndojit ishte mjaft e komplikuar teksa Federatës Shqiptare të Futbollit iu desh që t’i drejtohej Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës, vetëm e vetëm që futbollisti të fitonte të drejtën për të qenë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë.
Lojtari, përmes një shkrese zyrtare që SuperSport ka siguruar dhe që mban datën 19 shtator, i është drejtuar FIFA-s, për t’u lejuar që të aktivizohet në ndeshjet zyrtare me kombëtaren e Shqipërisë. Ndoj thekson në letrën e tij se është një ëndërr për të, që të veshë fanellën e Kombëtares së Shqipërisë.
Në datën 28 tetor, FSHF fitoi të drejtën në CAS për aktivizimin e Ndojt, siç shihet dhe në dokumentin që SuperSport ka siguruar, por në mënyrë krejt të çuditshme, mesfushori ka ndryshuar mendim dhe tani është i bindur se nuk dëshiron të jetë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë.
I habitshëm fakti i ndryshimit të qëndrimit të lojtarit, i cili në harkun kohor të pak javëve, ëndrrën për të veshur fanellën e kombëtares së Shqipërisë e kthen në një zgjedhje të dytë, duke mbajtur një qëndrim zyrtar tani për të përfaqësuar Greqinë!