Antonios Doukas është zyrtarisht trajneri i ri i Përfaqësueses Shqiptare të Basketbollit për meshkuj. Presidenti Avni Ponari e prezantoi pasuesin e Costantinides në një konferencë për shtyp të organizuar në ambientet e “Hotel Tirana”. Interesant është fakti që Doukas mori përsipër të drejtonte kuqezinjtë e koshit vetëm pak ditë pasi u emëruar trajner i Tiranës.
Ka qenë vetë Doukas që i ka shprehur dëshirën presidentit Ponari për të drejtuar njëkohësisht Tiranën dhe kombëtaren, kërkesë që i është plotësuar nga numri një i federatës, me argumentin se do të ketë mundësi t’a njohë më mirë ambientin në Shqipëri e aq më tepër që baza e kombëtares është bardheblu.
Shqipëria ndodhet në Grupin B eliminator të Europianit, së bashku me Armeninë e Danimarkën, ndërkohë që ndeshjet e para do të luhen më 24 nëntor të këtij viti. Trajneri Doukas është shprehur i kënaqur për besimin që i ka dhënë FSHB-ja, me shpresën për të ringritur kombëtaren në nivele më të kënaqshme pas zhgënjimeve të fundit.
