Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

Dubai/Federer “hakmerret” ndaj Tsitsipas, fiton trofeun numër 100 ATP

Roger Federer me tre shifra. Në finalen e Dubait tenisti zviceran mposhti pa shumë vështirësi në vetëm dy sete 20-vjeçarin tepër të talentuar grek, Stefanos Tsitsipas, duke regjistruar në këtë mënyrë trofeun e 100 në karrierë në turnetë ATP, vetëm 9 turne më pak se vendi i pare, që mbahet nga i madhi Jimmy Connors.

Të dielën e 4 shkurtit të vitit 2001 tenisti helvet ishte vetëm 19 vjeç kur mundi në tre sete tenistin francez Julien Boutter në finalen e turneut indoor të Milanos, megjithatë duhet të kenë qenë fare të paktë ata që mund të kenë imagjinuar 18 vjet më pas tenistin nga Bazeli në kuotën e tre shifrave sa i përket turneve ATP të fituar në karrierë.

Trofeu i 100 u regjistrua pikërisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, në një ndër turnetë më të dashur për sportistin helvet. Në Dubai, në fushën kryesore të Qendrës Tenistike të Klubit të Aviacionit, përpara 5.000 spektatorëve, Roger siguroi titullin e 8-të në këtë pjesë të Gjirit Persik, duke marrë hak në njëfarë mënyre edhe për eliminimin që pësoi një muaj e gjysmë më parë, në Australian Open, pikërisht nga 20-vjeçari nga Athina.

Në Melbourne Park Roger Federer shpërdoroi disavantazhin e setit hapës, madje dështoi për ta thyer në servis tenistin ballkanas, ndonëse pati plot 12 mundësi për break, ndërsa këtë herë 37-vjeçari zvicëran i rrëmbeu shërbimet kundërshtarit të tij që në game-n hapës.

Stefanos Tsitsipas, që numëronte tetë fitore radhazi, e përmirësoi ndjeshëm lojën e tij dhe dy tenistët ruajtën radhën e tyre të shërbimeve. Edhe pas fitimit të setit të parë Roger Federer u tregua shumë i qetë dhe administroi shkëlqyeshëm situatën, për të sulmuar sërish pikërisht në game-n e nëntë të setit pasardhës.

Në setin e dytë Tsitsipas mori vetëm tre pikë gjithsej në shërbimet e veteranit helvet dhe Roger mbylli pa vështirësi gjithë takimin me rezultatin 6-4, 6-4, në diçka më tepër se një orë lojë.

Ishte finalja e 10 në Dubai për mjeshtrin zvicëran, ndërkaq Tsitsipas ishte kundërshtari i tij i 50-të në karrierë në ndeshjet finale të turneve ATP, nga 25 vende të ndryshme, dhe interesant është fakti se tenisti grek, që është 17 vjet më i ri se sa Federeri, as nuk kishte lindur kur Roger siguroi trofeun në aktivitetin indoor të Milanos.

Pas pesë javëve pushim, me këtë sukses Federer do të përmirësohet nga vendi i shtatë në pozicionin e pestë në renditjen botërore, ndërkaq Stefanos Tsitsipas, që javën e kaluar triumfoi në Marsejë, përfitoi një çek sa gjysma e Federerit, gjithsesi të majmë me çerek milioni dollarë dhe nga vendi i 11-të tenisti helen ngjitet në vendin e 10-të, duke hyrë në histori si i pari tenist grek që futet mes 10 tenistëve më të mirë të botës në klasifikimin e përgjithshëm ATP.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...