Connect with us

Hi, what are you looking for?

Futboll

Duka: Faleminderit për besimin, t’i përqendrojmë të gjitha energjitë në zhvillimin e futbollit

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka pas rizgjedhjes për një mandat tjetër në krye të qeverisë së futbollit shqiptar në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore të FSHF-së, doli në një konferencë për mediat ku falënderoi të gjithë anëtarët e komunitetit të futbollit për besimin që i dhanë.

Presidenti Duka theksoi se nuk duhet humbur kohë me debatet dhe akuzat, por duhet hedhur shikimi përpara në mënyrë që të mos ndalet për asnjë çast puna për zhvillimin e futbollit shqiptar. Për Dukën, duhet t’i përqendrojmë të gjitha energjitë pozitive për zhvillimin e futbollit, për forcimin e mëtejshëm të institucionit dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë, më të mirë, më të shëndetshme, më sportive dhe më të sigurt.

Më poshtë edhe deklarata e plotë e Presidentit Duka në konferencën për mediat dhe përgjigjet e pyetjeve të gazetarëve:

Unë në këtë ditë do doja të falenderoja të gjithë ata që më kanë besuar dhe mbështetur për të vazhduar drejtimin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Do doja të falenderoja të gjithë , një nga një, ata që ishin në sallë, por dhe ata që nuk kanë qenë në sallë, por kanë mbështetur këtë alternativë, këtë projekt apo kanë vlerësuar rezultatet e deritanishme të Federatës Shqiptare të Futbollit. Siç e kam thënë dhe në Asamble, padyshim që ka vërejtje dhe do vazhdohet të ketë vërejtje, kritika, sugjerime, të cilat janë normale, janë të domosdoshme, janë konstruktive dhe padyshim, që jo vetëm unë, por i gjithë, Komiteti Ekzekutiv i ri, administrata, do t’i mbajnë shënim për t’u përmirësuar në të ardhmen.

Në të njejtën kohë, siç e kam deklaruar dhe në Asamble, nuk do të merremi e të harxhojmë kohë, por me sportivitet do të anashkalojmë çdo lloj baltosje, fyerje, ofendimi, sepse është kohë e humbur. Ne duam t’i përqendrojmë të gjitha energjitë tona pozitive për zhvillimin e futbollit, për përforcimin e institucionit dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë, më të mirë, më të shëndetshme, më sportive dhe më të sigurt. Unë do të doja dhe njëherë t’i falenderoj të gjithë për mbështetjen, gjithashtu dhe ju, përfaqësues të medias për përcjelljen e kësaj kohe elektorale, le të themi, e kësaj fushate jo të zakontë, por, e cila, mbase, me gjithë atë fortunë të ngritur, ato sulme të ngritura, e bashkoi akoma më shumë familjen e futbollit, për të dalë në një vendim apo në një votëbesim për katër vitet e ardhshme. Faleminderit edhe një herë të gjithëve!

– President, ndiheni më i obliguar këtë mandat, kryesisht karshi zërave kundër dhe atyre që nuk iu përgjigjën kësaj Asambleje, sa i përket drejtimit për 4 vitet e ardhshme?

– Në fakt, futbolli ka qenë i tëri në sallë. Ka munguar shumë pak pjesë e Asamblesë, që ka qenë një pjesë e përzier politikisht dhe jo për motive sportive. Unë do të punoj pa reshtur, bashkë me të gjithë kolegët e mi, që futbolli vërtet të vendosë për futbollin 100% në të ardhmen.

– President, fillimisht urime! Jam Enkelejda Zeko nga programi Fair Play. Do të vazhdojë federata të punojë normalisht dhe ju si drejtuesit e rinj, pavarësisht sulmeve që vazhdojnë të jenë edhe në një farë mënyre e kanë shqetësuar komunitetin e futbollit gjatë kësaj periudhe? Do të ketë qetësi në punën tuaj në vazhdim?

– E kam kërkuar në sallë, e kërkoj dhe tani publikisht dhe nëpërmjet mediave, të gjitha energjitë t’i kthejmë në energji pozitive. Mos të humbim kohë për të sulmuar padrejtësisht njëri-tjetrin. Për të kritikuar padyshim duhet të vazhdojmë në çdo ditë apo në çdo vendim apo veprim që duket i padrejtë, por të mos humbim kohë për ofendime apo baltosje destruktive. Të bashkojmë forcat! Ne jemi institucion sportiv dhe me sportivitet do t’i lëmë pas të gjitha ato që janë thënë, për të vazhduar për të mirën e lojës përpara.

– Përshëndetje ! A janë këto zgjedhjet më të vështira që ju keni fituar gjatë këtyre mandateve ? Sa energji dhe sa mbrapa jemi ne për zhvillimin e evenimentit më të madh sportiv që do të zhvillohet në Shqipëri, finalja e Conference League ?

– Nuk janë më të vështirat, por janë më të pazakontat. Janë zgjedhje që më shumë kanë pasur retorika, siç unë i përmenda dhe nuk dua ta përsëris më, se mbase e ekzagjeroj. Ka pasur sulme nga segmente të politikës, se sa debate, se sa alternativa apo shpalosje programesh për të mirën dhe të ardhmen e futbollit. Padyshim që kjo kohë na ka shpenzuar energji, i ka shpenzuar të gjithëve energji, të cilat duhet t’i shpenzonim jo vetëm për organizimin e kësaj finaleje të madhe në Tiranë, por për organizimin e të gjithë punëve të futbollit. Por gjithsesi, ne jemi mësuar me aksione dhe me aksion do të arrijmë që finalja të jetë e shkëlqyer, perfekte dhe t’i përgjigjet të gjithë niveleve që kërkon organizimi i një eventi të tillë ndërkombëtar dhe që t’i tregojë gjithë botës se ne shqiptarët dimë të organizojmë dhe të mirëpresim miq nga e gjithë Europa.

– President, urime për zgjedhjen! Ju keni fituar për herë të gjashtë mandatin si President i FSHF. Vetë ju a mendoni se mund të vazhdoni më tej apo e quani si mandatin e fundit?

– Nuk është vetëm e jotja kjo pyetje. Ka shumë që pyesin, ‘’pse kaq shumë vite, dikush tjetër mund ta bëjë më mirë etj’’. Padyshim që këtu, siç kemi thënë, futbolli duhet të vendosë për futbollin. Njerëzit në futboll investojnë jo vetëm financa, investojnë kohën e tyre. Në fund të fundit besojnë dhe fëmijët e tyre për t’u trajnuar, për t’u stërvitur, për t’u drejtuar dhe organizuar nga ky institucion futbolli. Kështu që për sa kohë ata i besojnë këtyre projekteve, për sa kohë ata mendojnë që ky është projekti fitues, duhet të vazhdojmë të jemi me fituesit. Unë e thashë dhe në Asamble që koha e gjatë në drejtim të futbollit mund të ketë padyshim hijet apo vërejtjet e veta, por unë do ta konsideroja vlerë për vendimmarrjet e duhura, në kohën e duhur dhe për të mirën e lojës.

-Në lidhje me trinomin Kosovë – Shqipëri – Maqedoni e Veriut, ky projekt si do vazhdojë tutje në mandatin 4 vjeçar?

– Në fakt, ne kemi bërë të gjitha përpjekjet që përveç zhvillimit të futbollit në vendet respektive Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, të bashkojmë dhe ata që duhet të na bashkojnë nëpërmjet lojës, sepse në fund të fundit ne jemi një popull, kemi të njëjtën kulturë. Kemi bërë aktivitete sporadike, ndeshje miqësore, Kupën Pavarësia, në disa edicione, por projekti jonë i madh ishte Kupa Nënë Tereza, e cila ishte në projekt para fillimit të pandemisë. Pandemia e ndërpreu atë, sepse bëri të vështirë edhe organizimin e kampionateve nacionale dhe lokale dhe ky projekt, duke shpresuar dhe uruar që kemi përfunduar tashmë me pandeminë, ky projekt duhet të vazhdojë për të qenë një kupë gjithëpërfshirëse e të gjithë shqiptarëve.

Marrëdhëniet tona mes federatave janë të shkëlqyera. Ju e dini që sot dhe në çdo Asamble ishin dhe Presidenti i Federatës së Kosovës, z.Agim Ademi, të cilin gjej rastin ta falenderoj dhe ta përshëndes. Gjithashtu Presidenti i Federatës së Maqedonisë, z.Muamed Sejdini, gjithashtu e falenderoj. Siç thashë, marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Fatmirësisht dhe punët në federatat respektive janë në rrugën e duhur.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...