Connect with us

Hi, what are you looking for?

Futboll

Rrëfehet Duka/ Nga De Biasi te Panucci, Superioria dhe gara e pazyrtarizuar me Finon

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka komentoi temat më aktuale të futbollit shqiptar, që lidhen me kombëtaren, kandidimin në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, akuzat për favorizime të klubeve të caktuara, ndikimin e futbollit në politikë, etj.

FSHF-ja ia besoi drejtimin e kombëtares shqiptare, Cristian Panuccit, një futbollist i madh, por një emër i ri në fushën e trajningut. Vetë Duka shprehet i kënaqur me zgjedhjen e Panuccit, ndërsa tregon edhe arsyet që e bindën t’i besojnë italianit.

“Kombëtarja shqiptare është një institucion solid, që do të vijojë ecurinë e mirë, pavarësisht trajnerit që e drejton. Jemi të kënaqur deri tani me Panuccin, të cilin e zgjodhëm pikërisht për faktin se është një njeri energjik, që nuk kënaqet me pak”, u shpreh kreu i FSHF-së.

Ish trajneri i kuqezinjve, Gianni De Biasi u shkarkua sot nga klubi spanjoll, Alaves, ndërsa Duka konfirmoi se vijon të ruajë marrëdhënie të mira dhe të komunikojë shpesh me italianin.

“Vijoj të ruaj kontaktet dhe komunikimin e vazhdueshëm me De Biasin. Kemi folur edhe para se të firmoste me Alavesin, por edhe pas ndeshjes me Turqinë, ku i kishte pëlqyer shumë kombëtarja. Ai ka lënë gjurmë te Shqipëria, ndaj do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë tonë të futbollit”, tha Duka.

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit nuk la pa komentuar edhe kandidimin e tij për t’u bërë pjesë e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ku nuk ia doli dot të zgjidhet.

“Nëse do të isha zgjedhur, kjo do të ishte një arritje e madhe për futbollin shqiptar, por besoj se ndikuan disa faktorë, që nuk ia dola të fitoja. Së pari ishin akuzat për trukime, për Skënderbeun, që ndikuan, pasi bëhej fjalë për një klub të Federatës që unë drejtoj. Gjithashtu, ishin edhe disa indicie negative, të ardhura në adresë të UEFA-s, pikërisht nga Shqipëria. Gjithsesi, nëse do të zgjidhesha, do ta konsideroja sukses, por edhe tani nuk është se e konsideroj si humbje”, u shpreh Armando Duka.

Gjatë ‘qeverisjes’ së Dukës, shumë klube të mëdha ndër vite, si Dinamo, Elbasani, Tirana, etj., kanë mbetur jashtë Kategorisë Superiore, ndërsa të tjera si Vllaznia, ende nuk po arrijnë të jenë konkurruese. Vetë presidenti i FSHF-së shpjegoi se kjo lidhet me ndryshimin e sistemit të organizimit të klubeve.

“Tani të gjitha klubet kanë kaluar në shoqëri aksionere dhe ka ndryshuar tërësisht sistemi i organizimit të tyre. Tani rregullat e garës janë të barabarta për të gjithë dhe këtu kemi shembullin e Laçit, një skuadër modeste, me një buxhet të vogël, por që është i organizuar mirë dhe po ia del të jetë konkurrues në Superligë. Unë jam tifoz me Vllazninë në fakt, por besoj se duket qartë që shkodranët nuk kanë përfituar aspak nga kjo”, tha kreu i FSHF-së.

Në muajin mars pritet të mbahen zgjedhjet e reja për kreun e FSHF-së, ndërsa Duka e la ende pezull çështjen e rikandidimit të tij, për një tjetër mandate në drejtim të futbollit shqiptar.

“Brenda 6-mujorit të parë të vitit, duhet të mblidhet Asambleja e Futbollit, por deri atëherë ka ende kohë për të marrë vendimin nëse do kandidoj apo jo. Unë vijoj të punoj me të njëjtin përkushtim në këtë institucion dhe po e mendoj nëse do të rikandidoj apo jo, por ende nuk kam marrë një vendim final. Unë kam disa projekte, për të cilat po punoj, por do të isha i gatshëm, që pas 15 vitesh, t’i hapja rrugë ndonjë tjetri, që ka një projekt më interesant”, tha Duka.

Kreu i FSHF-së komentoi edhe zërat për një kandidim të mundshëm, për pozicionin e presidentit, të ish kryeministrit Bashkim Fino. Duka vlerësoi figurën e Finos, ndërsa nuk ngurroi as të thumbojë kandidaturën e tij.

“Unë nuk di shumë mbi kandidimin e Finos, ndonëse e njoh mjaft mirë atë, sepse kemi mbaruar shkollën bashkë. Nëse ka një projekt për futbollin, kandidimi i tij është i mirëpritur, por duke qenë se është pjesë e PS-së, është mirë që kandidimin ta zyrtarizojë nga selia e partisë”, tha kreu aktual i FSHF-së.

Armando Duka nuk la pa përmendur edhe tentativat e politikës për të ndërhyrë në futboll, por mohoi që t’ia ketë dalë të ndikojë në raste konkrete. Ai u distancua tërësisht nga nga angazhimi politik i vëllait të tij, Agron Dukës, si kreu i Partisë Agrare.

“Unë mbështes iniciativën e vëllait tim, si një nismë e një njeriu të lirë, në një sistem demokratik, por asnjë herë nuk kam mbështetur qoftë edhe personalisht, forcën e tij politike. Ka pasur vazhdimisht përpjekje të politikës, për të shtrirë duart në futboll, por jam munduar të mos lejoj ndikimin e saj dhe ta mbaj sa më larg. Edhe Finon e shoh si kandidat të PS-së, nëse zyrtarizon kandidimin, por gjithsesi nuk besoj se kjo forcë politike do të investohet për të mbështetur zgjedhjen e tij”, theksoi Duka.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...