Connect with us

Hi, what are you looking for?

Featured

Duka në Konferencën për Sportin: Kemi bërë arritje, por duhet shumë më tepër

Për Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukën, Konferenca Kombëtare “Arritjet dhe Sfidat e Sportit në Shqipëri” duhet të shërbejë jo vetëm për të vënë në dukje çfarë është arrirë, por edhe çfarë ka mbetur ende për t’u bërë për të përmirësuar çdo aspekt të sportit në vendin tonë.

“Kjo konferencë është padiskutim shumë e rëndësishme për sportin dhe njerëzit e tij, jo veç për të bërë paradën e arritjeve, që padiskutim duhen pasqyruar e evidentuar sepse pasqyrimi drejt i arritjeve e sukseseve na ndihmon shumë për edukimin e një shoqërie sportive, por në të njëjtën kohë për të reflektuar ndaj gjërave nuk kemi bërë mirë apo s’kemi pasur ritmin e duhur.”-u shpreh kreu i FSHF-së në fjalën e mbajtur në këtë konferencë.

Lexo edhe: 

Më tej referuar “EuroBarometrit” uke theksoi se shifrat e personave që merren me sport në vendin tonë janë shumë të ulëta.

“Sot që flasim, sipas të dhënave të EuroBarometrit, në Bashkimin Europian mesatarja europiane e njerëzve që merren me sport është 40%. Në Shqipëri vetëm 3-4% e popullsisë ushtron sport. Janë Shifra alarmante qe kërkojnë ndërhyrje dhe veprime konkrete.”-vijoi Presidenti.

Fjala e Presidentit të Federatës Shëiptare të Futbollit, Armand Dukës:

E dashur Ministre Kushi,

Fort të nderuar të ftuar e personalitete që jeni sot në këtë sallë,

Më lejoni fillimisht të falënderoj organizatorët e kësaj konference, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit e veçanërisht Ministren Evis Kushi.

Kjo konferencë është padiskutim shumë e rëndësishme për sportin dhe njerëzit e tij, jo vec për të bërë paradën e arritjeve, që padiskutim duhen pasqyruar e evidentuar sepse pasqyrimi drejt i arritjeve e sukseseve na ndihmon shumë për edukimin e një shoqërie sportive, por në të njëjtën kohë për të reflektuar ndaj gjërave nuk kemi bërë mirë apo s’kemi pasur ritmin e duhur.

Sporti shqiptar përballet sot me shumë sfida, ku në majë qëndron synimi për krijimin e kultures sportive. Ne jemi një shoqëri jo sportive. Këtu nuk jam duke folur për sportin profesionist, por për atë amator, për një lëvizje sportive që mungon. Sot që flasim, sipas të dhënave të EuroBarometrit, në Bashkimin Europian mesatarja europiane e njerëzve që merren me sport është 40%. Në Shqipëri vetëm 3-4% e popullsisë ushtron sport. Jane Shifra alarmante qe kerkojne nderhyrje dhe veprime konkrete.

Në anën tjetër nuk mund të mohoj se dekadën e fundit ka patur ndryshime pozitive. Do ti ndaja këto vite të gjata të tranzicionit në dy periudha:

1-Vitet 90-të ku ne shkatërruam çdo ambient sportiv, fusha futbolli, pallate sporti e palestra që kishim trashëguar nga sistemi që lamë pas. Dhe jo vetëm kaq. Ne nuk dinim se kush do të bënte çfarë, një lloj kaosi total dhe pa asnjë diskutim një periudhë e errët për sportin.

Lexo edhe: 

2-Dhe vitet 2000 në të cilat filloi të institucionalizohen gjërat, filloi një organizim më i mirë në të gjitha nivelet, pati ndryshime dhe ndërhyrje në infrastrukturë e ndonjë rezultat sporadik që vinte herë pas here.

E gjatë këtij tranzicioni, edhe Futbolli si sporti më i dashur i shqiptarëve, ka pasur pa asnjë dyshim zhvillime pozitive në të gjitha drejtimet.

Duke filluar nga ai organizativ. Sot klubet e futbollit që garojnë në garat e zhvilluara nga Federata e Futbollit kanë struktura menaxheriale, drejtuese dhe sportive më të kualifikuara. Kanë forma juridike e tregtare shumë qartë të përcaktuara dhe janë pjesë e një organizate e cila ka një Kushtetutë të sajën të miratuar e vlerësuar nga autoritetet vendase dhe ato ndërkombëtare.

Kompeticionet e organizuara nga FSHF janë gjithashtu një histori e jashtëzakonshme transformimi. Shumë pak vite më parë, organizohej vetëm një kampionat kombëtar për meshkuj me 16 skuadra dhe një Kategori e Dytë me sistem grumbullimi pikësh.

Sot që flasim, organizohen 23 gara kombëtare për djem, 3 gara kombëtare për vajza, kampionate Rajonale për djem e vajza si dhe kompeticione kombëtare për futbollin amator 5×5, 6×6 dhe 9×9 ku në total luajnë 22 mijë futbollistë profesionist, gjysmë profesionist dhe amator.

Futbolli i vajzave është gjithashtu një hapësirë e rëndësishme në futbollin tonë, një prioritet i madh i Federatës. Edhe pse ka pak më shumë se një dekadë që ka nisur, numeron 2 mijë vajza që luajnë futboll në të gjithë vendin dhe falë projekteve e nismave që kemi ndërmarrë synojmë dyfishimin brenda dy viteve të ardhshme.

Çdo fundjavë 1140 ekipe futbolli djemsh dhe vajzash të të gjitha niveleve luajnë futboll në gjithë territorin e vendit. Mbi 650 zyrtarë janë të angazhuar në mbarëvajtjen e ndeshjeve të futbollit. Mbi 100 mijë njerëz të përfshirë direkt krijojnë një ekonomi futbolli, që konsumon dhe kontribuon në ekonominë shqiptare.

Lexo edhe: 

Edukimi është një tjetër shtyllë e rëndësishme në rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të futbollit. Falë politikave tona por edhe zhvillimit të profesioneve të reja, ne sot edukojmë, kualifikojmë dhe certifikojmë me diploma të vlefshme për të gjithë botën trajnerë, përgatitës  atletik, trajnerë portierësh, skaut, drejtor dhe administrator sportiv, video-analistë, mjekë e fizioterapistë sportivë. Jemi koshient se investimi te kapitali njerëzor është një gur themeli i rëndësishëm për të qenë konkurrues.

Për përmirësimin e infrastrukturës politikat tona kanë qenë të duhura jo vetëm në hartimin e projekteve e thithjen e fondeve nga organizatat ndërkombëtare, por edhe në bashkimin e tyre me investitorë privatë, akademi e klube futbolli, pushtet vendor e qendror. Ky bashkëpunim ka dyfishuar investimet në futboll dhe stadiumet që kemi sot e konfirmojnë më së miri këtë.

Në dekadën e fundit. Kemi ndërtuar 62 fusha loje, 19 fusha stërvitore me bar artificial, 13 tribuna stadiumesh dhe 76 fusha për futbollin 6×6 kryesisht në shkolla. Falë bashkëpunimit shumë të mirë me Qeverinë kemi sot “Elbasan Arenën”, “Loro Boriçin”, “Kukës Arenan”, “Air Albania Stadium” dhe ka marrë rrugë procesi i ndërtimit te tre stadiumeve në Korçë, Durrës dhe Vlorë. Sot ekipet tona Kombëtare kanë një shtëpi moderne, një krenari e jona siç është Shtëpia e Futbollit që e inauguruam vetëm pak muaj më parë me pjesmarrjen e presidentit te FIFA, Infantino.

Fale kesaj pune, UEFA na ka besuar organizimin e shume aktiviteteve nderkombetare. Nëpërmjet këtyre aktiviteteve, u shërbejmë të rinjve, për ti afruar akoma më shumë me sportin tonë, përmirësojmë eksperiencën tonë organizative dhe shërbejmë gjithashtu si promotor turistik të vendit tonë. Vetëm në katër vitet e fundit kemi organizuar dhe po vazhdojmë të organizojmë 30 aktivitete ndërkombëtare për djem dhe vajza duke mirëpritur në Shqipëri më shumë se 3 mijë futbollistë e zyrtarë që kanë qëndruar mesatarisht 8 ditë në zonën tonë bregdetare.

Lexo edhe: 

Qershia mbi tortë e këtyre organizimeve, ishte finalja e madhe historike e UEFA Conference League që e ktheu Tiranën dhe Shqipërinë në epiqendër të futbollit botëror me 155 shtete në të gjithë botën që e transmetuan këtë finale duke i bërë vendit tonë reklamën më mbresëlënëse të kryer ndonjëherë. Mijëra tifozë, gazetarë, figura legjendare futbolli, sponsor, njerëz nga bota e financës dhe menaxhimit, patën mundësi të kalonin orë fantastike në Tiranë duke gjetur një mikpritje dhe një organizim perfekt.

Ekipi Kombëtar mbetet për të gjithë shqiptarët krenaria e madhe. Nuk duhet të harrojmë asnjëherë se skuadra jonë e djemve renditej në vendet 110 deri në 130-të në renditjen e FIFA-s e në vendet e fundit në renditjen e UEFA-s. Sot që flasim ndodhemi në vendin e 68-të në renditjen botërore dhe pak vite më parë arritëm një rekord historik duke qenë në vendin e 22-të në botë. Në dy eliminatoret e fundit për Kupën e Botës jemi renditur në vendin e tretë dhe e kemi quajtur dështim, duke konfirmuar në këtë mënyrë urinë tonë për rezultate pozitive. Asnjëherë nuk duhet të harrojmë kualifikimin tonë në Kampionatin Europian 2016, në Francë, aty ku kuqezinjtë tanë bënë të lumtur e krenar çdo shqiptar.

Miqtë e mi,

Përpara kemi sfida të shumta, përtej ndryshimeve pozitive që kemi arritur mbetet akoma shumë për të bërë. Federata e Futbollit ka punuar me ekspertët më të mirë europianë duke hartuar strategjinë e detajuar dhe e kthyer në një manual të qartë pune në dokumentin “Futbolli për Kombin 2025” ku i kemi vendosur vetes objektiva shumë ambicioz.

1- Synojmë ndërtimin e 100 fushave të reja në të gjithë vendin
2- Rritjen në 23 mijë të numrit të fëmijëve që luajnë futboll deri në vitin 2025
3- Dyfishimin e trajnerëve të licensuar deri në vitin 2025
4- Dyfishimin e vajzave që luajnë futboll deri në vitin 2025

Sot futbolli shqiptar me mbi 22 mijë të rinj e të reja ka ekonominë e tij dhe kontribuon jo pak në ekonominë e vendit. Në një studim që zhvilluam sëbashku me UEFA-n dhe kompaninë britanike Substance, ku vlerësuam kontributin direkt në ekonomi, impaktin ekonomik të përfitimeve sociale dhe ndikimin ekonomik në shërbimet shëndetësore, pamë se futbolli kontribuon në ekonominë shqiptare me mbi 146 milionë euro në vit. Një shifër që sigurisht është më e madhe, por jo të gjithë të dhënat e kërkuara u arritën të sigurohen. Gjithashtu në një studim të fundit të OECD në shkurt të këtij viti pamë sesi me 1 euro të shpenzuara sot për sportin, arrin të marrësh 2 euro benefite financiare nesër.

Lexo edhe: 

Këto të dhëna na bindin se investimi në sport, fokusimi te ai dhe krijimi i një tregu të mirëfilltë sportiv dhe jo vetëm futbollistik, duhet te jete prioritet i te gjithe faktoreve.

Unë e di që të flasësh për treg në Shqipëri është një temë që sigurisht ngjall reagime, dyshime, e deri te keqkuptime të mëdha. Mund të tingëllojë edhe si utopike, duke parë që në këtë vend tregu ka akoma nevoja në shëndetësi, arsim, ndërtim e shërbime të tjera publike. Por futbolli shqiptar e ka treguar se është gjithmonë një hap përpara.

Te dashur miq

Ka ardhur koha që të punojmë sëbashku për të miratuar një paketë të plotë ligjore dhe fiskale e cila do të krijonte tregun e futbollit dhe sportit në Shqipëri. Duhet ta fillojmë me Ligjin e Sponsorizimit. Ekonomia shqiptare do të ishte përfituesja më e madhe e krijimit të këtij tregu. Të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi do të kenë gjithashtu kushte dhe mundësi më të mira për të ngritur lart flamurin e vendit tonë të dashur. Duke punuar sëbashku, pushtet qendror, pushtet lokal, organizata sportive dhe biznesi, jam shumë i sigurt se do të shkojmë larg dhe do të shkruajmë një faqe të ndritur në histori.

Lexo edhe: 

Të ardhurat e siguruara nga bastet sportive janë gjithashtu një mekanizëm që mund të ndihmojë buxhetin e sportit shqiptar. Ne si Federata Shqiptare e Futbollit, dhe organizata me numrin më të madh të sportistëve të regjistruar ne vend, do të propozonim që të jenë të përcaktuara qartë në ligj ndarja e të ardhurave. Sa do të përfitojë futbolli, basktebolli, volejbolli dhe sa sportet elitare si peshëngritja, mundja e atletika ashtu si edhe destinacioni i këtyre fondeve, duke mos e lënë në dorë të humoreve apo dëshirave të individëve të caktuar.

Në mbyllje të fjalës time, ashtu siç e kam thënë shumë herë të tjerë, dua të theksoj se fëmijët janë e ardhmja e Kombit. Pa ta futbolli do të vdiste, ashtu si edhe Kombi. Ne i jemi borxhli fëmijëve të këtij Kombi dhe duhet të bëjmë gjithçka për ti dhënë kushte më të mira e më shumë mundësi çdo të riu dhe të reje që dëshiron të luajë futboll e të ketë një Jete aktive duke qenë në këtë mënyrë dhe një qytetar më i mirë nesër.

Ju falënderoj të gjithëve për vëmendjen dhe durimin e dëshiroj t’i uroj punime të mbara këtij Kongresi vërtet të veçantë.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...