Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kategoria Superiore

Duro: E nisëm mbarë, por duhet ende kohë për Kukësin e vërtetë

Trajneri i Kukësit Shpëtim Duro, në një intervistë për “Gol pas Goli” nuk e fshehu kënaqësinë që skuadra e tij e nisi kampionatin me këmbën e mbarë, duke marrë 3 pikët pikërisht përballë kampionëve në fuqi, Partizanit.

Ndryshe nga Superkupa, sot duhet të jeni i kënaqur edhe me lojën, edhe me rezultatin…
Është e vërtetë, pasi javën e kaluar humbëm në mënyrë të pamerituar, por sot treguam vlerat tona, duke marrë një fitore tërësisht të merituar. Unë e kam thënë edhe më herët, që skuadra ka cilësi dhe këtë e tregoi edhe sot, ndonëse kemi vetëm 10 ditë që punojmë dhe disa lojtarë kanë ardhur rishtazi.

Skuadra duket se vuan ende finalizimin…
Është e vërtetë, pasi mund të kishim shënuar më shumë. Në pjesën e dytë bëmë disa kundërsulme në superioritet numerik, por nuk arritëm të shkojmë si duhet në zonë, ose nuk arritëm të dërgojmë topin në rrjetë. Me kalimin e minutave u tërhoqëm disi, pasi çunat donin ta fitonin patjetër ndeshjen dhe nuk rrezikuam pësimin e golit.

A ka stol të plotë Kukësi?
Partizani është skuadër e konsoliduar, ka stol dhe madje Asani ishte në tribunë. Kjo tregon skuadrën e Partizanit. Ne nuk kemi organikën e duhur dhe na është dëmtuar Musolli. Të shikojmë si do jetë gjendja e tij. Nesër shpresoj të na bashkohet Abazaj. Gjatë javë do shikojmë ndonjë lojtar tjetër që të kompletohemi për vazhdimësinë e kampionatit.

Cili lojtar ju ka pëlqyer më shumë?
Et’hemi është superlojtar, është superdjalë. Këto 2 ndeshje luan në pozicion të ri. Edhe në Superkupë edhe sot, ka qenë problemi kryesor për Partizanin. Është futbollist që luan në shumë pozicione. E kam ndjekur me simpati edhe kur s’kam qenë trajner i Kukësit, por me këtë pozicionin e ri ka qenë super.

Ndeshjen e kaluar pësuat 4 gola, ndërsa sot nuk ia lejuat asnjë rast kundërshtarit. Çfarë ndryshuat?
Ndeshja e Superkupës ishte një tjetër histori, pasi kishte më shumë spektakël, por aty vuajtëm shumë në shtesë, ku unë i druhesha mangësive fizike të skuadrës. Sot ishte një histori tjetër, ku skuadra u tregua shumë më e kujdesshme dhe për më tepër, kemi punuar më shumë dhe jemi rritur në aspektin fizik.

Kur e pret Kukësin më të mirë?
Unë nuk do t’i doja këto dy përballje me Partizanin, pasi ishte një kohë e shkurtër, por shorti ishte i tillë. Shpresoj që të marrim pikët edhe në dy ndeshjet e ardhshme, sepse pas ndërprerjes, do të kemi mundësi të arrijmë nivelin më të mirë, edhe me afrimet që presim të bëhen.

Si e shikoni Gjicin, tani që e keni presidentin tuaj?
Unë me presidentin jam takuar vetëm ditën e parë, para 20 ditësh, por e vlerësoj si një njeri korrekt dhe ambicioz, që ka cilësitë dhe karakteristikat e tij. Ai do vetëm të fitojë dhe këtë ua kam bërë të qartë edhe futbollistëve të mi, që mbijetojmë vetëm nëse fitojmë. Unë e kam pranuar sfidën time, por sido që të shkojë, kam ruajtur marrëdhënie të mira me të gjithë presidentët e klubeve që kam punuar.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...