Laçi fitoi ditën e sotme me rezultatin 4-2 ndaj Teutës në shtëpi teksa dy gola për kurbinasit u realizuan nga ana e sulmuesit Adeleke Akinyemi. Nigeriani shkoi në kuotën e gjashtë golave në këtë kampionat me kurbinasit, por statistikat përsa i takon Superiores do të mbeten në vend pasi SuperSport mëson se Laçi ka gjetur një akord me klubin e Karvinës në Ligën e Dytë të Çekisë.
Këta të fundit do ta transferojnë sulmuesin në këtë dritare të merkatos dhe janë bindur të paguajnë 200.000 euro për kartonin e 24-vjeçarit ndërsa Laçi do të ruajë edhe 20% të kartonit në momentin kur Adeleke të shitet në të ardhmen. Një marrëveshje me leverdi për kurbinasit teksa pas sfidës me Teutën, Adeleke u përshëndet me shokët e skuadrës ndërsa falenderoi edhe presidentin Pashk Laska.
“Vija nga një periudhë e gjatë dëmtimi dhe nuk e mendoja se do të vinte ky transferim. Presidenti më lejoi të shkoja dhe e falënderoj për mundësinë”, tha Adeleke para shokëve të skuadrës, pas ndeshjes me Teutën. .
