Analizë

Dy tituj në 20 vjet, Kategoria Superiore “nuk bën” për trajnerët e huaj

Tashmë nuk është më sekret. Kategoria Superiore është një tokë e minuar për trajnerët e huaj. Në 20 vitet e fundit kanë ardhur të drejtojnë në elitën e futbollit shqiptar emra të njohur e të panjohur, protagonistë të futbollit të madh, ku mjafton të kujtojmë dy prej tyre, Mark Iuliano dhe braziliani Ze Maria.

Në fushë kanë qenë të respektuar dhe kanë fituar gjithçka si futbollistë, por që në fushën e trajningut kanë dështuar. Në Shqipëri nuk është e thjeshtë për të drejtuar, pasi këtu kanë dështuar edhe të tjerë, si italianët Menechini, Agostinelli apo Sormani, që në CV-në e tyre kanë skuadra dhe kampionate me koeficient shumë herë më të vështirë.

Në këto dy dekada, vetëm dy trajnerë ia kanë dalë të triumfojnë, dy emra me profil të ulët, por që për hir të së vërtetës, suksesin duhet ta ndajnë me skuadrën dhe momentin që erdhi. Malazezi Dervish Haxhiosmanoviç fitoi titullin me Vllazninë, por në atë periudhë shkodranët ishin një superfuqi, ekip i mirëorganizuar dhe me financa të shëndosha për periudhën.

Në finish Vllaznia fitoi titullin, ndërsa Haxhiosmanoviç respektin e publikut kuqeblu. Shumë vite më vonë Skënderbeu i besoi çekut Stanislav Levi, i cili që në sezonin e parë u shpall kampion në një skuadër që kampionatin e kish fituar që në verë. Më pas në Vlorë, Levi rezultoi një dështim, ashtu si Dervish Haxhiosmanoviç që nuk rezulton të ketë arritur sukses tjetër.

Pavarësisht shifrave, presidentët janë treguar gjithmonë kokëfortë, duke u besuar projektin e tyre trajnerëve të huaj. Këtë edicion në Superiore ishin Milos Kostiç i Luftëtarit dhe Ze Maria i Tiranës, aventura e të cilëve u mbyll me zhgënjimin e rezultateve, por edhe të një ambienti gjithmonë të ndezur. Kategoria Superiore nuk është kampionati më i fortë dhe më i bukur në Europë, por trajnerët e huaj kanë dështuar për të sjellë progres duke u larguar gjithmonë me polemika.

To Top