Connect with us

Hi, what are you looking for?

Premier League

E ardhmja e Lampard në pikëpyetje? Në Angli nuk e vendosin në diskutim!

Disfata e pësuar në Stadiumin King Power nga Leicester City përkeqësoi akoma më shumë pozitat e Frank Lampard dhe me një situatë të tillë tepër të vështirë në mënyrë të kuptueshme në ishull po flitet gjithmonë e më shumë mbi një shkarkim të mundshëm të 42-vjecarit londinez nga posti i trajnerit te blutë. Nga momenti i kryesimit të Premier League-s në fillim të sezonit gjërat ndryshuan vërtet shpejt, për të marrë një kthesë të rrezikshme, që tani vështirëson ndjeshëm punën e mëtejshme të ish-mesfushorit legjendar në krye të Chelsea-t. Humbja 2-0 me “dhelprat” në Leicestershire është e pesta në tetë sfidat e fundit të kampionatit anglez, periudhë kohe ku ekipi lonmdinez ia ka dalë për të mundur vetëm kundërshtarë si West Ham dhe Fulham. Me një ecuri të tillë në mënyrë të kuptueshme Chelsea ka rrëshqitur në vendin e tetë, duke e mbyllur fazën e parë në kuotën e 29 pikëve. Nëse bëhet një krahasim me rendimentin e skuadrës për të njëjtën periudhë kohe të sezonit të kaluar nuk është se vihet re ndonjë ndryshim shumë i madh.

Kështu për shembull blutë e mbyllën edicionin e kaluar të kampionatit anglez në kuotën e 32 pikëve, me 10 fitore 2 barazime e 7 humbje, ndërsa këtë radhë Chelsea numëron 8 fitore, 5 barazime dhe 6 humbje, pra vetëm 3 pikë më pak. Problemi i madh qëndron në faktin që sezonin e kaluar ekipi nuk u përforcua dot për shkak të merkatos së bllokuar, ndërsa këtë herë krerët e klubit shpenzuan plot 222.5 milionë stërlina për të plotësuar kërkesat e trajnerit Frank Lampard. Pavarësisht ecurisë shumë negative dhe shpenzimeve të mëdha përsëri drejtuesit e bluve duan t’i japin më tepër kohë 42-vjecarit nga Romford-i, duke patur parasysh që Frenki përfaqëson një legjendë të klubit.

Sipas The Independent krerët e klubit londinez duan t’i besojnë bashkëpunimit afatgjatë me Frank Lampard edhe nëse kriza do të thellohet akoma më shumë, e nga burime pranë Chelsea-t presidenti Roman Abramovich nuk është aspak i interesuar për t’ia besuar skuadrën një trajneri të përkohshëm, për më tepër në mes të sezonit. Menjëherë pas humbjes me Leicester City-n, që i ngjiti “dhelprat“ e Brendan Rodgers-it përkohësisht në vendin e parë, Lampard deklaroi se tani posti i tij si trajner i Chelsea-t është nën një kërcënim serioz. Drejtuesit besojnë se Frank Lampard është në gjendje për ta kthyer ekipin përsëri në rrugën e duhur dhe në njëfarë mënyre krerët e klubit të mirënjohur londinez duan të ndjekin shembujt e klubeve të tillë si Manchester United apo Arsenal, që iu dhanë kohën e mjaftueshme dhe besimin e duhur trajnerëve të tyre Ole Gunnar Solskjaer dhe Mikel Arteta.

Për momentin Lampard mund të vazhdojë i qetë por sigurisht ecuria negative e skuadrës duhet të marrë fund. Në krahun tjetër po në ishull Sky Sports raporton se nëse rezultatet nuk përmirësohen drejtuesit nuk do të kenë rrugëzgjidhje tjetër përvecse ta shkarkojnë ish-mesfushorin e famshëm, që mban edhe rekordin e klubit me plot 211 gola të shënuar në karrierë, pa harruar gjithashtu edhe faktin që Frenki përfaqëson lojtarin e katërt me më shumë ndeshje në historinë e bluve, me 648 ndeshje gjithsej.

Përpara tij pozicionohen vetëm Ron Harris, Peter Bonetti dhe John Terry. Shtypi britanik ka lakuar emrin e trajnerit të Leipzig-ut Julian Nagelsmann, si një zëvendësues të mundshëm të teknikut aktual të Chelsea-t, megjithëse tabloidët anglezë kanë hamendësuar gjithashtu edhe një afrim të mundshëm të një tjetër gjermani, bëhet fjalë për ish-trajnerin e Paris SG Thomas Tuchel. Natyrisht edhe këtu përparësi ka Julian Nagelsmann, për shkak se ka punuar dhe e njeh shumë mirë sulmuesin Timo Werner. Deri tani i vetmi trajner i shkarkuar në Premiership është Slaven Bilic që u zëvendësua te West Bromëich Albion nga Sam Allardyce, megjithatë sipas oddschecker Frank Lampard kuotohet me koeficientin 1,53 dhe është favoriti kryesor për të pasuar teknikun kroat, në listën e shkarkimeve të trajnerëve të kampionatit anglez për këtë sezon, i ndjekur nga Steve Bruce i Newcastle-t dhe trajneri i Sheffield United Chris Wilder.

Lajme të tjera

Legjionarët

Moment i vështirë për Armando Brojën. Sulmuesi shqiptar mori ftesë nga Sylvinho për t’u grumbulluar me kuqezinjtë për miqësoret e muajit mars, por pavarësisht...

Kombëtare

Sulmi është reparti që i ka shtuar më së shumti telashet trajnerit Sylvinho në prag të Euroianit të Gjermanisë, pasi thuajse të gjithë futbollistët...

Kombëtare

Sylvinho publikoi sot listën e lojtarëve që do të përfaqësojnë kombëtaren shqiptare në dy miqësoret përballë Kilit dhe Suedisë. Të programuara për datat 22...

Legjionarët

Ernest Muçi ka shënuar golin e dytë me fanellën e Besiktas. Sulmuesi kuqezi shndërroi në gol një pasim të Milot Rashicës, i cili shërbeu...