Një lajm i befasishëm ka ardhur në zyrat e Milanit në orët e mbrëmjes së sotme. Kështu shitja e sulmuesit portugez Andre Silva te Monaco, duket se ka dështuar, ndonëse pritej që të vinte zyrtarizimi.
Kuqezinjtë kishin gjetur akordin me klubin francez për shifrën e 30 milionë eurove, që do të sillnin edhe një plusvalencë të rëndësishme në arkat e klubit milanez, por gjërat nuk kanë shkuar sipas planit.
Mediat franceze raportuan se marrëveshja është në prag të dështimit, ndërsa arsyet që qarkullojnë janë dy. E para lidhet me mungesën e akordit për pagën e sulmuesit, ndërsa tjetra për gjendjen e tij fizike.
Andre Silva mungoi në miqësoren e parë sezonale të Milanit, pasi po stërvitej i diferencuar, ndërsa dyshimet më të mëdha janë që ai të mos ketë kaluar testet mjekësore, për shkak të një problemi në thembër.