E diel e zjarrtë në SuperSport. Katër derbit kryesorë nga kampionatet më të famshme të Europës, si Atletico Madrid-Real Madrid, Arsenal-Tottenam, Paris Saint-Germain-Marseille dhe Ajax-Feyenoord, vijnë në ekranin tuaj për të përcjellë emocione të pafundme gjatë ditës së diel. .
Atletico Madrid – Real Madrid 21:00
Derbi i Madridit i parë për këtë sezon nuk mund të vinte në një moment më të mirë për Real Madridin, që ka fituar 15 pikë nga pesë ndeshjet e para. Start i jashtëzakonshëm për makinerinë e Carlo Ancelottit që kanë gjetur një lider të ri, Jude Bellingham, por do të testohen për herë të parë seriozisht nga Atletico Madridit. Skuadra e El Cholo Simeones është antidota perfekte për lojën e Galaktivëve dhe pavarësisht problemeve të këtij fillim-sezoni do të kërkojnë pikën e kthesës në ndeshjen më të përjetuar të sezonit. Derbin madrilen do të mund ta ndiqni nga ora 21:00 në Supersport 2 nën komentin e Glenti Nallbanit.
Arsenal-Tottenham 15:00
Nga Madridi, në Londër, aty ku pjesa veriore e kryeqytetit të Anglisë do të përjetojë emocionet e forta të derbit Arsenal-Tottenham. Dy skuadra me stil të njëjte lojë, me nisje perfekte në edicionin e ri dhe me një rivalitet të përjetshëm zbresin në Emirates Stadium me një synim të vetëm, triumfin dhe vendosjen e diktatit në kryeqytet. Përballjet e fundit direkte i kanë buzëqeshur Arsenalit, por derbi mbetet derbi.
Më shumë se një lojë, më shumë se 90 minuta. Tottenham nuk kërkon veç konfirmimin me Ange Postecoglun, por edhe thyerjen e një tabuje që e ndjek prej më shumë se një dekade. Asnjë fitore në Emirates që prej 2011, një barrierë që Spurs do të synojë ta kapërcejë të dielën. Emocionet e papërsëritshme që dhuron kampionati anglez me anë të derbit Arsenal-Tottenham i ndiqni live dhe ekskluzivisht në Supersport 2 në orën 15:00 me zërin e Ylli Agës.
Lexo edhe:
- Partizani-Tirana në “Air Albania”, derbi shtyhet me 23 ditë
- “E duam kapiten”, Lecce ëndërron, Ramadani “mbreti” i mesfushës
- “Dritë në fund të tunelit”, Pochettino jep lajmin e madh për Brojën
- “Gjest i madh, Onana tregoi personalitet”, Ten Hag e merr në mbrojtje
PSG-Marseille 20:45
Le Classique në Park de Prince mes Paris Saint Germain dhe Olimpique Marseille. Derbi i Veriut dhe Jugut, i dy filozofive totalisht të ndryshme. Pariezienët nuk e kanë nisur në mënyrën më të mirë me Luis Enrique teksa mbajnë vendin e 5-të me 8 pikë, ndërsa Marseille ka vetëm një pikë më shumë, e në këtë ndeshje do të drejtohet nga tekniku i përkohshëm Abardonado, që në mesjavë mori një barazim 3-3 ndaj Ajax në Europa League. Paris Saint Germain me Kylian Mbappe është gjithnjë i frikshëm e për këtë arsye futet me një bonus shumë të madh në këtë derbi, për të mos u humbur në 20:45 në Supersport 4 nën komentin e Anarildo Alias.
Ajax-Feyenoord 14:30
Një ndeshje e madhe serviret edhe nga kampionati holandez Eredivise. Klasikja e Holandës mes Ajaxit dhe Feyenoord vjen në javën e 6-të, në një moment jo të mirë për 36-herë kampionët e Ajaxit dhe në një çast fantastik për kampionët në fuqi të Feyenoord që formën e mirë të kampionatit e zhvendosën edhe në Champions League në mesjavë me fitoren 2-0 ndaj Celtic. Ndeshja e fundit mes dy skuadrave historike mbyllej me fitoren 3-2 të Feyenoord dhe por në 90 minutëshin e radhës gjithçka mund të ndodhë. Ajax ka shansin e artë për të përmbysur fatet e sezonit, Feyenoord për t’u konfirmuar si skuadra më e mirë në Holandë. Klasikja e Holandës për t’u shijuar në maksimum në Supersport 5 në orën 14:30, drejtpërsëdrejti nga mitiku ‘Johan Cruyff Arena’.
