Kjo fundjavë në Serie A do të jetë historike, pasi për herë të parë një ndeshje e elitës së futbollit italian do të gjykohet nga një femër. Maria Sole Ferrieri Caputi është 32 vjeçe dhe do të jetë kryesorja e takimit Sassuolo-Salernitana, që do luhet të dielën në “Mapei Stadium”.
Caputi ka gjykuar deri tani 23 ndeshje në Serinë C, 3 në Serinë B dhe një në Kupën e Italisë, ndërkohë që në periudhën 11-30 nëntor do të marrë pjesë në Botërorin U17 në Indi.
Anëtarja e Këshillit të FIFA-s, Evelina Chrisillin ka komentuar këtë risi në futbollin italian në një prononcim për GDS, ku ndër të tjera shprehet: “Aq pak jemi mësuar t’i shohim femrat me bilbil në gojë, saqë ende nuk e dimë si t’i thërrasim: arbitra apo arbitre.
Ndoshta do të ishte më i saktë versioni femëror si ai i ministres apo kryetares së bashkisë. Ky është një hap përpara, por kthesa e vërtetë do të ndodhë kur nuk do të habitemi më të shohim një femër që bën një punë të konsideruar për burra”, deklaroi 66-vjeçarja nga Torino.
