Paolo Maldini shprehu publikisht përpara duelit ndaj Chelsea dëshirën dhe vullnetin e Milanit për të rinovuar me Rafael Leaon përpara nisjes së Kupës së Botës Katar 2022. Edhe sulmuesi anësor shpreson të qëndrojë në Milanello, por tani duhet kaluar në vepra.
GDS shkruan se drejtuesit e kampionëve të Italisë kanë programuar një takim me agjentin e portugezit të martën e ardhshme. Dyshja Maldini-Massara kanë gati një ofertë 5-vjeçare për 23-vjeçarin luzitan me një pagë 5 milionë euro në sezon (aktualisht përfiton 1.5 milionë).
Kuqezinjtë janë gati të paguajnë te Sportingu i Lisbonës edhe “gjobën” (9-10 milionë euro), duke i hequr lojtarit më të mirë të sezonit të kaluar në Serie A një barrë të madhe. Leao kërkon 7 milionë euro pagë sezonale për të rinovuar, por te Milani janë optimistë në lidhje me arritjen e akordit.
Dyshja Maldini-Massara do të takohen me menaxherin e sulmuesit të majtë, ndërkohë që në marrëveshjen mes palëve pritet të përfshihen edhe bonuse të ndryshme për të bindur Leaon të firmosë kontratën e re, diçka që tifozët e “Djallit” po e presin me padurim.
