Connect with us

Hi, what are you looking for?

Featured

E morrën nga skuadra e refugjatëve dhe i dhuruan një mundësi, 18-vjeçari ia shpërblen me tre pikë

Kalvari nga i cili kalon një futbollist për të mbërritur në nivelet profesioniste është gjithnjë i ndryshëm për secilin, pasi dikush është më i “përkëdhelur” nga fati se pjesa tjetër. Dhe, Moustapha Cisse për t’u bërë i njohur i është dashur të kalojë nëpërmjet shumë vështirësive. I mbërritur si emigrant nga Afrika në Itali në vitin 2019, 18-vjeçari fillimisht u bë pjesë e një skuadre nga Leçe e njohur si Rilindja e Refugjatëve dhe që bënte pjesë në kategorinë e tetë italiane, sigurisht e nivelit amator.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se në inferiore nuk ka talente teksa skautët e Atalantës ishin mjaftueshëm të zotë për të kuptuar cilësitë e djaloshit nga Guinea. Në këtë formë, muajin e kaluar, bergamaskët i dhuruan një kontratë profesionisti dhe e angazhuan në ekipin e parë. Kështu, Cisse së bashku me Gjimshitin dhe yjet e tjerë të Atalantës nisi të stërvitej si kurrë më parë për të shpërblyer besimin e klubit.

Të dielën, Atalanta kishte një numër të lartë mungesash dhe në minutën e 65 të sfidës ndaj Bolognas në transfertë, trajneri Gian Piero Gasperini vendos të nxjerrë nga loja Muriel dhe të aktivizojë pikërisht Cisse që e shfrytëzoi në maksimum mundësinë e tij. 17 minuta më pas, lojtari afrikan gjen golin në debutim me Atalantën dhe i fal tre pikë të arta skuadrës që lufton për një vend në Champions League sezonin e ardhshëm.

Asistenti i Gasperinit, Tulio Gritti thekson se Cisse është një djalosh shembullor dhe kërkon të mësojë gjithnjë e më shumë. “Duke lënë mënjanë cilësitë e tij teknike, Cisse është një djalosh i jashtëzakonshëm. Është shumë i sjellshëm dhe i dedikohet shumë stërvitjes, është shumë i edukuar edhe pse jeta nuk ka qenë e lehtë për të ndërsa emigroi në Itali pas vdekjes së babait. Gjithnjë kërkon të mësojë shumë dhe në ndeshjen e fundit shënoi si një kampion i vërtetë”, u shpreh Gritti. Një histori si në filma për 18-vjeçarin që tashmë kërkon të vijojë në këtë rrugë dhe të shndërrohet në një fenomen të futbollit italian.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...