Connect with us

Hi, what are you looking for?

Futboll

E shtuna në SuperSport/ Juve udhëton drejt Veronës, Fiore pret Atalantën

Ronaldo

Juventusi harroi shpejt disfatën me Napolin në “San Paolo”, teksa mundi në shtëpi ekipin e Fiorentinës dhe në pritje të derbit të Madoninnës kampionët në fuqi do të bëjnë çmos për të thelluar diferencën me zikaltërit e Interit, teksa do të përballen në Veneto me skuadrën e Veronës. Takimi do të mbahet në mbrëmje në orën 20:45 në stadiumin “Bentegodi”, ku verdheblutë nuk munden që nga dueli me Romën, dy muaj më parë. Nën drejtimin e kroatit Ivan Juric Verona është përmirësuar ndjeshëm dhe forcën e këtij ekipi e provoi gjithashtu edhe skuadra e Lacios në mesjavë.

Bardhekaltërit kishin fituar plot 37 nga 39 pikët e mundshme në 13 javët e fundit të Serisë A dhe në mënyrë të kuptueshme përjashtim bënte vetëm barazimi në derbin e kryeqytetit me Romën, sidoqoftë një kontribut të jashtëzakonshëm kanë kapiteni i përfaqësueses dardane Amir Rrahmani si dhe mbrojtësi më i ri i kombëtares kuqezi Marash Kumbulla. Kjo dyshe është bërë gati gati e pakalueshme, gjë që vërtetohet më së miri edhe nga vetë klasifikimi i Serisë A, sepse prapavija e verdhebluve është ndëshkuar me vetëm 23 gola gjithsej në 22 javë kampionat dhe më pak se klubi që deri tetë muaj më herët luante në Serinë B, gjatë kësaj periudhe kanë pësuar vetëm tre skuadrat kryesuese, Juventusi, Interi dhe Lazio.

Vendasit pritet të zbresin në fushë me formacionin e tyre më të mirë, pasi trajneri Ivan Juric nuk ka probleme me mungesat, por sidoqoftë një gjë e tillë mund të influencojë, duke patur parasysh lodhjen e ndeshjes së mesjavës, ku gjithsesi Verona i rezistoi për plot 96′ furisë së skuadrës së drejtuar nga Simone Inzaghi, për të dalë nga Qyteti i Përjetshëm madje me rrjetën të paprekur, ndonëse përballë kishte një ekip si Lazio, me një mesatare shënimi prej 3 golash për ndeshje në “Olimpico”.

Në krahun tjetër kampionët në fuqi tani fillojnë një fazë shumë të ngjeshur të sezonit, me plot 4 nga 5 sfidat e radhës jashtë fushës së tyre, përpara dy sfidave rresht që do të kenë ndaj klubeve të Milanos, në fillimin e muajit mars. Pas humbjes dhe ndeshjes së shëmtuar me Napolin Sarri premtoi lojë dhe rezultat. Rezultati nuk mungoi, por loja la shumë për të dëshiruar, madje 2 nga 3 golat e realizuar erdhën vetëm nga pika e bardhë e 11-metrave.

Cristiano Ronaldo që edicionin e kaluar e mbylli me 21 gola gjithsej, këtë herë numëron plot 19 gola në 19 ndeshje. Me dy penalltitë e realizuara ndaj skuadrës toskane CR7 ia doli të ruajë ecurinë e tij të shkëlqyer dhe Cristiano që ditën e mërkurë festoi 35-vjetorin ka shënuar radhazi në 9 sfidat e fundit në kampionatin italian, ecuri që ka filluar që më datë 1 dhjetor, në barazimin 2-2 brenda në Torino me ekipin e Sasuolos, si për ironi të fatit madje edhe në atë takim goli u realizua me 11-metërsh.

Ylli portugez tani numëron 50 gola në 40 ndeshje të kampionatit me fanellën e “zonjës së vjetër” dhe pasi barazoi ish-sulmuesin e bardhezinjve David Trezeguet Cristiano ka vënë në shënjestër rekordin e argjentinasit Gabriel Batistuta, që në vitin 1994 ia doli për të shënuar në plot 11 takime rresht në Serinë A. Më herët në orën 18:00 në kampionatin italian do të mbahet dueli Torino – Sampdoria, ndërsa në orën 15:00 interes ngjall shumë edhe takimi Fiorentina – Atalanta.

Në Spanjë me kureshtje pritet sfida e orës 16:00 Getafe – Valencia, një ndeshje direkte për Zonën Champions, duke patur parasysh faktin që dy skuadrat pozicionohen respektivisht në vendin e tretë dhe të pestë dhe ndahen në klasifikim në Primera Division nga vetëm dy pikë. Në mbrëmje në Francë në orën 20:00 do të luhet ndeshja Amiens – Monaco, ndërsa pak më herët në orën 19:45 në Eredivisie do të mbahet takimi PSV Eindhoven – Willem II.

Në Angli gjysma e skuadrave po përfiton nga pushimet e dimrit, sidoqoftë në orën 18:30 në jug të ishullit do të zhvillohet ndeshja Brighton – Watford, ndërkaq në Supersport nuk do të mungojnë as sfidat e kampionatit gjerman. Fillimisht në orën 15:30 Schalke do të presë në Gelsenkirchen Paderbornin, ku do të rikthehet mesfushori i kombëtares kuqezi Klaus Gjasula, ndërsa në orën 18:30 do të luhet takimi më i fortë i ditës Leverkusen – Dortmund, ndeshje të cilat gjithë të pasionuarit e Bundesligës do të kenë mundësi për t’i ndjekur nëpërmjet Kanalit Eurosport 2.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...