Connect with us

Hi, what are you looking for?

Futboll

E shtuna në Supersport/ Napoli pret Fiorentinën, Chelsea udhëton në Newcastle

Në harkun e 12 muajve Napoli ka pësuar një metamorfozë të vërtetë dhe gjërat në klubin nga Campania janë përkeqësuar ndjeshëm pikërisht gjatë vitit të fundit. Skuadra “azzurre” numëron plot 20 pikë më pak në fundin e fazës së parë të klasifikimit të përgjithshëm të Serisë A, krahasuar me periudhën korresponduese të edicionit të kaluar të kampionatit italian, sidoqoftë drejtuesit e këtij ekipi janë optimistë se situata do të ndryshojë në pesë muajt në vazhdim. Gjithçka duhet të fillojë nga dueli me Fiorentinën, që është njëherësh edhe takimi i mbrëmjes në Serinë A.

Sezonin e kaluar të dy klubet ishin në pozita krejt të kundërta dhe ekipi napolitan e mbylli edicionin e shkuar në vendin e dytë, me gati dyfishin e pikëve, krahasuar me skuadrën vjollcë, më saktë 79 kundrejt vetëm 41 pikëve që grumbulloi gjithsej ekipi toskan. Në muajin maj klubi nga Firenze rrezikoi ndjeshëm për të rënë një kategori më poshtë, teksa e përfundoi sezonin me vetëm 3 pikë më tepër se sa dyshja Genoa – Empoli, sidoqoftë gjatë fazës së parë të edicionit aktual luhatjeve të tmerrshme të Fiorentinës iu bashkua cuditërisht edhe ekipi i Napolit, e për rrjedhojë drejtuesit e dy klubeve vendosën të ndryshojnë drejtim. Në muajin dhjetor në harkun e vetëm 12 ditëve trajnerët Carlo Ancelotti dhe Vincenzo Montella u zëvendësuan nga Gennaro Gattuso dhe Giuseppe Iachini.

Nëse te klubi toskan gjërat ndryshuan menjëherë për mirë, te Napoli trajneri i ri kalabrez krenohet thjesht me 3 pikë në 4 ndeshjet e tij të para me ekipin “azzurr”, e për pasojë dy ekipet tani pozicionohen në gjysmën e dytë të tabelës së renditjes dhe skuadra e Gatuzos për momentin ka vetëm 3 pikë më shumë se sa Fiorentina. Në Romë Napoli e kishte mposhtur Lacion në 6 vizitat e fundit, e ndonëse luajtën shumë më mirë përsëri miqtë u thyen pas golit të shënuar nga Ciro Immobile dhe dhuratës së portierit kolumbian David Ospina, gjithsesi mesjava ishte pozitive, duke marrë në konsideratë kualifikimin e këtyre skuadrave për në fazën cerekfinale të Kupës së Italisë, ndaj Perugia-s dhe Atalanta-s.

Dy javët në vijim pritet të tregojnë shumë në lidhje me ecurinë e mëtejshme të këtyre dy klubeve, pasi Napoli do të ketë 3 nga 4 sfidat e radhës në San Paolo, ndërsa skuadra “vjollcë” është e shtrënguar për t’i luajtur 3 nga 4 ndeshjet në kalendar larg Stadiumit Artemio Franchi. Takimi do të luhet në orën 20:45 pikërisht në San Paolo dhe vlen të theksohet fakti se Napoli ka humbur vetëm 1 nga 13 përballjet e fundit ndërmjet dy klubeve në të gjithë kompeticionet. Po në mbrëmje në orën 21:00 në Primera Division Atletiko e Madridit do të masë forcat në Vendet Baske me ekipin e Eibar-it dhe në 20:55 në Stade de la Beaujoire për Kupën e Francës do të mbahet dueli Nantes – Lyon, ndërsa më herët në orën 18:00 në kampionatin italian Sassuolo do të presë në shtëpi ekipin e Torinos.

Në Holandë këtë javë siç dihet rikthehet Eredivisie dhe në orën 19:45 Feyenoord-i do të presë në Rotterdam Heerenveen-in, me dy ekipet që ndahen në renditje nga vetëm 3 pikë, ndërkaq ora 18:30 në Premier League rezervon duelin Neëcastle – Chelsea. Në Gjermani gjithashtu rifilloi kampionati dhe Dortmundi do të përballet në orën 15:30 në Bavari me Augsburgun, ndërsa në orën 18:30 Laipcigu ekipi që u shpall kampion i dimrit do të presë në Saksoni debutuesit e Unionit të Berlinit, ndeshje të cilat gjithë të apasionuarit e Bundesligës do të kenë mundësi për t’i ndjekur si zakonisht nëpërmjet Kanalit Eurosport 2. Dita në fakt në Supersport starton pikërisht në Angli me duelin interesant të orës 13:30 Ëatford – Tottenham, ndërsa interes ngjall vërtet shumë edhe takimi i orës 15:00 Lazio – Sampdoria në Serinë A, ku “bardhekaltërit” e Simone Inzaghi-t do të bëjnë cmos për të cuar akoma më tej rekordin historik të klubit, që për momentin është fiksuar në ecurinë e jashtëzakonshme me plot 10 fitore radhazi në kampionatin italian.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...