Edhe Tuchel është i sigurt për të ardhmen e Cavanit

Thomas Tuchel shuan ëndrrat e tifozëve napolitanë dhe atyre madrilenë. Tekniku i klubit francez të PSG prononcohet mbi spekulimet e fundit mediatike, duke zbuluar një bisedë të zhvilluar së fundmi mes tij dhe uruguaianit 31-vjeçar, Edinson Cavani.
“Vetëm pak ditë më parë kam biseduar me Cavanin dhe nuk më shprehu asgjë nga ato që janë përfolur në media. Madje shprehu entuziazmin e tij për ediconin e ri dhe se mezi pret t’i rikthehet grupit për të arritur bashkë me ne, me këtë skuadër, objektivat sezonale”.
Në të vërtetë, gjatë ditëve të fundit ka qenë vetë presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, që u ka ngrirë buzëqëshjen tifozëve të tij me argumentin se sado dëshira është shumë e madhe, Napoli nuk e ka realisht mundësinë ekonomike për të angazhuar “El Matador”. Gjithsesi, merkato ka vërtetuar se çdo gjë është e mundshme, ndaj kjo ka lënë hapësira që tifozët e kaltër apo edhe ata të Realit të vijonin ta lidhnin emrin e tij me fanellën e klubeve respektive. Sidoqoftë, duket se vetë sulmuesi as nuk e ka çuar nëpër mend largimin nga Parisi, ndërkohë që trajneri i ri i klubit kryeqytetas synon të mbështetet fort te shërbimet e tij këtë sezon. “Cavani mbetet një lojtar kyç për ne”, është mesazhi i qartë i 44-vjeçarit gjerman.
