Ervin Skela është emëruar zv trajneri i ekipit U19 të Eintracht Frankfurt, që disa ditë më parë fitoi Europa League në Sevilla, pas suksesit me penallti përballë skocezëve të Rangers. Ish-mesfushori i njohur shqiptar, i cili luajti me ekipin gjerman në vitet 2001-2004, ka punuar si trajner dhe zv trajner i ekipit U17 të Eintrachtit, ndërsa tani është graduar në detyrën e re.
“Kam marrë eksperiencë të shkëlqyer nga puna me Alexander Richter and Patrick Ochs dhe mezi pres të nis këtë sfidë të re. Eintracht është shtëpia ime, ky është vendi të cilit i përkas. Në dy vitet e fundit unë kam njohur të gjithë lojtarët që tani do të jenë pjesë e ekipit U19.
Në këtë aspekt, për mua është gjithashtu një vazhdim i punës me djemtë dhe zhvillimin e përmirësimin e të cilëve do të doja ta vijoja më tej. Jam shumë i emocionuar për këtë detyrë”, deklaroi ish-fantazisti i kombëtares shqiptare. I lumtur u shfaq edhe Alexander Richter, kreu i akademisë së klubit gjerman.
“Ervin Skela është një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin e lojtarëve tanë, si në aspektin futbollistik ashtu edhe në edukimin se çfarë do të thotë të luash për Eintracht Frankfurt. Kjo është arsyeja pse jam shumë i kënaqur që Ervin Skela do t’i qëndrojë besnik familjes Eintracht në vitet e ardhshme”.
