Pasi mbylli aventurën me Derby County, Wayne Rooney është ndalur të flasë për eksperiencën e tij të parë si trajner. Golashënuesi më i mirë në historinë e përfaqësues angleze, u largua pas 18 muajsh nga drejtimi i Derby County, skuadër me të cilën mbylli edhe karrierën si futbollist në vitin 2021.
“Unë mendoj se klubit (Derby County), tani i duhet një trajner i ri. Duhet dikush me energji të reja dhe të freskëta, e mbi të gjitha të mos ndikohet nga ngjarjet që kanë ndodhur gjatë këtyre 18 muajve të fundit. Jam shumë i lumtur që isha pjesë e këtij klubi“-deklaroi Rooney.
Derby County zbriti në League One (kategoria e tretë e futbollit në Angli), pasi sezonin 2021-2022 e mbylli në vendin e 23-të me 34 pikë dhe tashmë misioni në sezonin e ri, që nis në fundin e korrikut do të jetë rikthimi i menjëhershëm në Championship.
