Stefan El Shaarawy ka lënë pas dëshpërimin për mbetjen jashtë botërorit me Italinë dhe është gati për derbin e të shtunës, mes Romës dhe Lazios. Sulmuesi anësor i verdhekuqve është shprehur se derbi është një sfidë që duhet fituar, për të rritur vetëbesimin në ekip, por edhe për faktin se Lazio është një rival direkt në këtë fillim sezoni.
“Derbi është thjesht derbi dhe komentet janë të tepërta. Ai vlen sa një pjesë kampionati, por në rastin konkret do të kërkojmë patjetër 3 pikët. Një fitore ndaj Lazios do të na rriste vetëbesimin, por edhe do të parakalonim një rival direkt në garën për kreun”, tha El Shaarawy.
Sulmuesi i Romës ka pasur fat në derbi, sepse ka shënuar shpesh, edhe te ai i Milanos, kur luante për Milanin, ndërsa nuk e fshehu dëshirën për të çuar topin në rrjetë, as mbrëmjen e të shtunës.
“Nuk mund ta fsheh dëshirën që kam për të shënuar dhe për më tepër në derbi, por jam më shumë i përqendruar te fitorja e skuadrës. 3 pikët në këtë sfidë nuk i ndërroj me asgjë, ndaj jam gati të jap maksimumin për të fituar. Këtë sezon jemi në një formë të shkëlqyer, sepse njihemi më mirë me njëri-tjetrin dhe kemi fituar besimin se mund të përballemi me këdo. Uroj të jetë viti i duhur për të gëzuar tifozët me trofe”, u shpreh sulmuesi i verdhekuqve.
