Janë zhvilluar sot nëntë takimet e parafundit të grupeve A,B dhe H, teksa nuk ka pasur asnjë surprizë, pasi kanë fituar të gjithë ekipet favorite. Kështu Franca ka fituar me rezultatin minimal 0-1, në Bullgari, ku kishte vite që nuk fitonte. Mesfushori i Juventus, Blasé Matuidi shënoi që në minutën e tretë dhe i dha tri pikët ekipit të Deschamps, që për t’u kualifikuar direkt duhet të mposhtë Bjellorusinë më datë 10.
Edhe Holanda mori një fitore mjaft të rëndësishme në tokën bjelloruse, me rezultatin 1-3, ndërsa pas tre ditëve do të presë Suedinë, në një takim ku tri pikët janë e vetmja alternativë që i dërgon në Play Off. Në grupin B, Zvicra dhe Portugalia morën 3 pikëshat e radhës dhe lanë për ndeshjen e fundit, zgjidhjen se kush do të kualifikohet direkt.
Në Grupin H, Belgjika mposhti Bosnjën dhe i dha mundësinë Greqisë që të marrë vendin e dytë, pas fitores 1-2 në Qipro. Nga fitorja e belgëve përfitoi edhe Italia, që siguroi pjesëmarrjen në Play Off ende pa u zhvilluar takimet e fundit në grupe. Në takimet e sotme vlen të përmenden fitoret me goleada të Suedisë, 8-0 ndaj Luksemburgut dhe Estonisë ndaj Gjibraltarit, 0-6.
