Connect with us

Hi, what are you looking for?

Katar 2022

Eliminatoret/ Argjentina ngec ndaj Kilit, Nuk ka fitues as në Uruguaj-Paraguaj

Argjentina dështoi përsëri për të fituar në shtëpi dhe pas takimit me Paraguajin “la albiceleste” barazoi sërish me përfaqësuesen e Kilit. Pas dicka më shumë se gjysmë viti Konfederata e CONMBEBOL-it rifilloi ndeshjet eliminatore dhe gjithçka nisi me sfidat e javës së shtatë të fazës së grupeve, sepse siç dihet takimet e javës së pestë dhe të gjashtë nuk u zhvilluan, por u shtynë për arsye të përshkallëzimit të situatës së pandemisë së koronavirusit në këtë pjesë të globit.

Për shkak të pozitës gjeografike Amerika e Jugut ka konfederatën më të privilegjuar, duke patur parasysh që në fazën e grupeve marrin pjesë vetëm 10 shtete gjithsej, prej nga ku kualifikohen në mënyrë të drejtpërdrejtë për në botërorin tjetër, që do të mbahet në Katar nga 21 nëntori deri më datën 18 dhjetor të vitit të ardhshëm plot katër ekipe kombëtare, ndërsa përfaqësuesja që do të mbyllë fazën eliminatore në pozicionin e pestë do të fitojë të drejtën për të luajtur në play off, ndaj kundërshtarëve që do t’i ofrojnë goglat, pas shortit që do të përcaktojë rrugëtimin gjithashtu edhe për vendet e tjera, me fat të ngjashëm, pra bëhet fjalë për skuadrën që do të dalë nga raundi i katërt i play off-it në Azi, ekipin që do të pozicionohet i katërti në fazën e tretë të CONCACAF-it, pra Konfederatës së Amerikës së Veriut, asaj qendrore dhe Zonës së Karaibeve si dhe kombëtaren që do të dalë nga raundi i dytë kualifikues nga Zona e Oqeanisë.

Natyrisht bëhet fjalë për një pjesë në rruzull që ka një peshë të veçantë edhe në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, duke patur parasysh që nga kjo zonë janë plot 5 federata që renditen në njëzetëshen e parë të botës: Brazili pozicionohet i treti, Argjentina e teta, Uruguaji i nënti, Kolumbia në vendin e 15 dhe Kili që klasifikohet në vendin e 19. Në kalendar Brazili pret Ekuadorin në Porto Alegre, megjithatë ndonëse kanë zhvilluar një takim më pak krahasuar me rivalët e tjerë verdhjeshilët kryesojnë grupin me 100% të pikëve, pra 12 pikë pas katër sfidave të para. Menjëherë pas Brazilit pozicionohet në renditje Argjentina, që këtë herë nuk shkoi përtej barazimit 1-1 me kombëtaren e Kilit.

Në Stadiumin “Unico Madre de Ciudades” në veri të vendit, në kryeqendrën e Provincës së Santiago del Estero, që mban të njëjtin emër vendasit kaluan në epërsi në mesin e fraksionit hapës. I ndihmuar edhe nga asistentët e tij të Sistemit VAR kryesori nga Venezuela Jesus Valenzuela penalizoi me 11-metërsh qendërmbrojtësin e Monakosë, Guillermo Maripan, për një ndërhyrje të parregullt ndaj sulmuesit Lautaro Martinez. Nga pika e bardhë kapiteni Lionel Messi mposhti ish-shokun e tij të ekipit Claudio Bravo, duke e dërguar sferën në krahun e kundërt të portierit kilian. “La Roja” ia doli të ekuilibrojë takimin që në pjesën e parë. Pas një goditje dënimi Aranguiz harkoi në drejtim të shtyllës së dytë.

Gary Medel ktheu topin në mënyrë perfekte në qendër të zonës, ku me portën të boshatisur Alexis Sanchez nuk e pati aspak të vështirë për të barazuar shifrat. Claudio Bravo bëri disa pritje shumë të mira duke spikatur në duelin e dy kapitenëve, sidoqoftë edhe atëherë kur nuk mbërriti dot 38-vjecari porta e Kilit u shpëtua nga traversa, si për shembull në rastin e 80’, kur goditja e dënimit e gjuajtur nga Leo Messi u ndal në kornizën e portës. Po në barazim u mbyll gjithashtu edhe takimi tjetër i rëndësishëm i kësaj faze Uruguaj – Paraguaj. Emocionet e vetme në stadiumin legjendar Centenario të Montevideos erdhën nga Sistemi VAR, që i anuloi një gol vendasve dhe u hap gjithashtu edhe për një ndërhyrje të ashpër të Matias Vecino-s si dhe në fund të ndeshjes, pas protestave të futbollistëve të “la celeste”-s, për 11-metërsh, pas një prekje të topit me dorë brenda zonës. Në fund këto dy përfaqësuese nuk shkuan dot përtej një barazimi me rrjeta të paprekura. Kurioz është fakti që Uruguaji dhe Paraguaji nuk barazonin pa gola prej plot katër dekadash, më saktë që nga shtatori i vitit 1979, në Copa America në Asuncion.

Peruja bëri një figurë të mirë në botërorin e fundit, që u mbajt në Rusi, tre vjet më parë, megjithatë që nga ajo kohë bardhekuqtë kanë ndryshuar shumë, deri në atë pikë sa për të rrëshqitur pikërisht në vendin e fundit në tabelën e renditjes, me thjesht një pikë të vetme. “La Bicolor” zbriti në Estadio Nacional të Limës pas tre humbjeve radhazi me Brazilin, Kilin dhe Argjentinën, dy të fundit madje pa shënuar as gol, gjithsesi “inkasit” u shfaqën sërish nervozë dhe bënë gabime pa fund. Skuadra e drejtuar nga argjentinasi Gareca pësoi në fundin e pjesës së parë kur qendërmbrojtësi i Evertonit Yerry Mina ndëshkoi portierin Pedro Gallese për daljen e tij të gabuar. Vendasit mbetën me një futbollist më pak në fundin e fraksionit hapës, pasi kryesori brazilian Wilton Pereira Sampaio i tregoi kartonin e verdhë për herë të dytë në harkun e vetëm 10’ mbrojtësit të Saint Etienne-t Miguel Trauco.

Në startin e pjesës së dytë mesfushori i Portos Mateus Uribe shfrytëzoi më së miri krosimin e Medina-s nga e djathta, ndërsa pak minuta më vonë vulosi rezultatin me shifrat 3-0 mesfushori tjetër i “dragonjve” Luis Diaz. E vetmja notë negative për “los cafeteros” u regjistrua pa u mbushur as një orë lojë, kur mbrojtësi i Genk-ut Daniel Munoz i cili kishte vetëm dy minuta që kishte zbritur në fushë si zëvendësues u ndëshkua me karton të kuq pas pamjeve të Sistemit VAR, për një ndërhyrje të ashpër në zonën kundërshtare. Bolivia ia doli për të siguruar fitoren e parë në këto eliminatore, teksa mundi brenda në La Paz me rezultatin 3-1 skuadrën e Venezuelës. Në Stadiumin Hernando Siles mbrojtësi Chancellor i Brescia-s barazoi golin e shpejtë të Marcelo Moreno-s, gjithsesi në pjesën e dytë “la verde” shënoi edhe dy herë të tjera në gjysmë orën e fundit të ndeshjes, që të dy me kokë falë mesfushorit Diego Bejarano dhe kapitenit 33-vjecar Marcelo Moreno. Duke lënë mënjanë Brazilin dhe Argjentinën, të gjitha skuadrat e tjera përfaqësuese janë ngjeshur së tepërmi në klasifikim dhe pas Ekuadorit që pozicionohet në vendin e tretë, në kuotën e 9 pikëve, renditen Paraguaji, Uruguaji dhe Kolumbia, ndërsa Kili numëron vetëm 5 pikë në 5 sfidat e para të këtyre eliminatoreve.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...