Polonia ka arritur të sigurojë kualifikimin direkt, pasi mposhti me rezultatin 4-2, Malin e Zi, në një takim të çmendur, ku u shënuan katër gola në 10 minutat e fundit. Danimarka nuk shkoi më tepër se një barazim 1-1 ndaj Rumanisë, por do të mjaftohet me Play Off-in e siguruar falë renditjes në vendin e dytë në grup.
Në grupin F, Anglia e kishte siguruar kualifikimin më herët, por mori sërish një fitore minimale në transfertën lituaneze, me golin e shënuar nga Harry Kane, që mbante shiritin e kapitenit.
Në këtë grup kishte një garë në distancë, nga Sllovakia dhe Skocia, për vendin e dytë. Skocezët bënë ‘vetëvrasje’ në Slloveni, sepse pas avantazhit në pjesën e parë, pësuan dy gola në pjesën e dytë dhe e mbyllën ndeshjen në barazim 2-2, duke dorëzuar vendin e dytë te Sllovakia, e cila nga ana e saj mposhti 3-0 Maltën dhe tani shpreson të mos mbetet vendi i dytë me më pak pikë.
Në mbrëmje, Gjermania fitoi 5-1 ndaj Azerbajxhanit modest, duke vendosur një rekord absolut, 10 fitore në 10 takime eliminatore, ndërsa me rezultatin e thellë 5-0, triumfoi edhe Çekia ndaj San Marinos. Irlanda e Veriut humbi minimalisht 1-0, në Norvegji, por tashmë e kishte siguruar pjesëmarrjen në fazën Play Off.
