Connect with us

Hi, what are you looking for?

Basketboll

Eliminohen Brazili e Greqia, Australia surprizon Francën

Pas Argjentinës, Spanjës dhe Australisë edhe përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara siguroi fitoren e pestë në po kaq ndeshje, në edicionin e 18 të kampionatit Botëror të basketbollit për meshkuj. Privilegjin për të mbyllur fazën e dytë të grupeve në këtë botëror e patën pikërisht kampionët në fuqi, të cilët në Shenzhen mundën me 16 pikë dhe pa shumë vuajtje ekipin e Brazilit. Skuadra amerikane e kishte siguruar që më parë objektivin e kualifikimit, ndërsa ekipit verdhjeshil në krahun tjetër i nevojitej patjetër fitorja për të kaluar në fazën çerekfinale të këtij kompeticioni.

9 vjet më parë në Stamboll në fazën e grupeve Brazili u mund nga Shtetet e Bashkuara minimalisht 70-68, e kurioz është fakti se nga ajo përballje në fushë kroati Aleksandar Petrovic rreshtoi plot pesë lojtarë përtej moshës 35-vjeçare, si Alex Garcia, Varejao, Marquinhos, Leandro Barbosa dhe Marcelo Huertas. Në anën tjetër veterani Gregg Popovich përsëri nuk pati në dispozicion yllin e Boston Celtics Jayson Tatum, që vijon të jetë i dëmtuar, sidoqoftë pjesa e parë ishte tepër i ekuilibruar dhe ekipi amerikan i fitoi minimalisht dy periodat e para 21-18 dhe 22-21, për të shkuar në interval me rezultatin e ngushtë 43-39.

Diferencat dolën në pah në 10 minutëshin e tretë pasi skuadra e Shteteve të Bashkuara u shkëput deri në 11 pikë, ndërsa në periodën e fundit kampionët në fuqi shkuan deri në +21. Përfundimisht ekipi amerikan fitoi gjithë takimin me shifrat 89-73, duke e mbyllur edhe grupin K me 100% të pikëve. Katër lojtarë te Shtetet e Bashkuara e mbyllën ndeshjen me dy shifra. Kemba Walker e përfundoi takimin me 16 pikë e 5 asist, ndërsa Myles Turner kontribuoi me 16 pikë e 8 rebound, sidoqoftë lojtari i ndeshjes ishte padyshim basketbollisti i Burgosit, 29-vjecari paulist Vitor Benite, që realizoi 21 pikë në vetëm 21 minuta lojë.

Brazili që fitoi Grupin F me pikë të plota, pësoi humbjen e dytë në fazën e dytë të grupeve, duke mbetur në këtë mënyrë jashtë fazës çerekfinale, ndërsa Shtetet e Bashkuara bëjnë përpara pa shumë bujë dhe në raundin tjetër ditën e mërkurë në qytetin e Dongguan-it ekipi amerikan do të përballet me Francën, pasi skuadra e drejtuar nga Vincent Collet shpërdoroi në Nanjing avantazhin e 9 pikëve ndaj Australisë, që fitoi takimin në sekondat e fundit në mënyrë dramatike me rezultatin 100-98, duke zënë vendin e parë në Grupin L dhe shmangur njëkohësisht edhe një duel me kampionët në fuqi.

Befasinë më të madhe e shkaktoi gjithsesi Republika Çeke, që ndonëse u mund 84-77 nga Greqia në Shenzhen Bay Sports Centre, përsëri ia doli mbanë për të siguruar kalimin mes tetë skuadrave më të mira të këtij aktiviteti. Ekipit helen i nevojitej patjetër një fitore me 12 apo më tepër pikë diferencë, e për hir të së vërtetës skuadra ballkanase ishte tre herë në epërsinë e 12 pikëve pikërisht në periodën përmbyllëse të ndeshjes, gjithsesi përfaqësuesja çeke ngushtoi diferencën dhe bëri mrekullinë, duke regjistruar kështu edhe një kualifikim historik, pasi këtë herë kalon e vetme mes tetë skuadrave më të mira, pas shpërbërjes së Çekosllovakisë.

Për Greqinë rezultoi fatale kështu disfata me Brazilin në fazën e parë të grupeve, ku ekipi helen shpërdoroi avantazhin e plot 17 pikëve. Në historinë e botërorëve ende nuk është regjistruar asnjë triple – double, megjithatë këtë herë flirtoi me një arritje të tillë pikërisht ylli i skuadrës, basketbollisti që luan në NBA me Chicago Bulls Tomas Satoransky, që e përfundoi takimin me 13 pikë, 8 rebound e 9 asist, sidoqoftë në turin tjetër përfaqësuesen ceke e pret një mision tepër i vështirë, pasi ditën e mërkurë në cerekfinale skuadra e drejtuar nga Ronen Ginzburg do të masë forcat me ekipin e Australisë.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...