Emijano Çela, pavarësisht tensionit që shfaqi në fundin e sfidës, teksa u ndëshkua me karton të kuq, në intervistën në “Gol pas Goli” reflektoi qetësi dhe përulësi, duke këmbëngulur se objektivi i Kastriotiti mbetet vetëm mbijetesa.
“Ishte një nga ndeshjet më të vështira që kam përjetuar në karrierën time si trajner. Na doli nga duart manaxhimi i lojës, i doli edhe arbitrit. Ishte një gol i anuluar, që na prishi lojën. Nuk na linte të ishim agresivë dhe të shpejtë, gjatë gjithë kohës na ngadalësonte. Kemi mundur një Kukës në ditën më të mirë. Jam i lumtur që si ekip jemi mësuar të vuajmë dhe ta marrim pikë edhe në një ditë jo fort të mirë.
Objektivi mbetet mbijetesa: “Jam shumë i sinqertë që them se objektivi është të arrijmë sa më parë të jetë e mundur mbijetesën. Nuk synojmë të arrijmë më lart.”
Zënka me Arbitrin: Ishte një fazë loje shumë e rëndësishme në minutat e fundit, doza emocionale është maksimale dhe nuk e kontrollova dot veten. U ngarkova gjatë gjithë kohës dhe ai moment i fundit që dha një faull të lehtë në një zonë shumë të rrezikshme…, reagimi im është i pajustifikueshëm, sinqerisht.
Pikët për mbijetesën: “Është në varësi të kundërshtarëve. Edhe Egnatia, rivali më i forte yni ka pasur një ecuri shumë të mirë, pavarësisht rezultatit të sotëm. E respektoj, jemi të sigurt që edhe ne, edhe Egnatia, si ekipe të vogla, çdo gjë e kemi marrë me mund.”
