Emisioni Analizë Kuq e Zi, nën moderimin e Sokol xhihanit, publikoi sipas statistikave atë që konsiderohet si formacioni më i mirë i mundshëm i Kosovës, bazuar në atë që lojtarët e “Dardanëve” prodhuan gjatë këtij sezoni futbollistik.
Në bazë të statistikave, Kosova rreshtohet me formacionin 4-3-3 teksa pozicioni i portierit i takon Arijanet Muric i cili aktivizohet me Burnley në Championship teksa ia ka dalë ta mbajë portën e paprekur në 19 raste duke kontribuar në rikthimin e skuadrës në Premier League.
Në mbrojtje ka vend për Leart Paqaradën e St. Paulit në Ligën e Dytë gjermane, Mirlind Kryeziut që aktivizohet me Zurich në Zvicër, ndërsa sigurisht nuk mund të mungojë kampioni i Italisë me Napolin, Amir Rrahmani. Në krahun e majtë ka vend për Florent Hadërgjonaj që luan me Kasimpasa në Turqi.
Lexo edhe:
Sa i përket repartit të mesfushës, ai përbëhet nga Elbasan Rashani i Clermont në Ligue 1 franceze, Betim Fazlijin e St. Paulit dhe Florent Muslija që vjen po nga liga e dytë gjermane ku aktivizohet me Paderbornin. Në sulm, rreshtohet treshja Edon Zhegrova, Vedat Muriqi dhe Milot Rashica. Ky i fundit u shpall kampion me Galatasarayn në Turqi ndërsa kontribuoi edhe me katër gola.
Ndërkohë, Vedat Muriqi ishte lider për Mallorcan në LaLiga, me sulmuesin që realizoi plot 15 gola duke u renditur edhe në pjesën e sipërme të golashënuesve më të mirë të kampionatit spanjoll teksa ka shënuar po aq sa edhe Antoine Griezmann i Atletico Madrid. Sa i përket Zhegrovës, sulmuesi që aktivizohet me Lille në Ligue 1, në 22 ndeshje me francezët shënoi tre gola.
