Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kombëtare

Emocionet e një kampioni bote me klubet! Adrian Bajrami rrëfen arritjen historike me Benfikën

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Adrian Bajrami, ishte pjesë e një arritje historike me klubin e Benfikës vetëm pak ditë më parë, duke u shpallur kampion bote për moshën U-20. Skuadra portugeze, që kishte fituar UEFA Youth League sezonin e fundit, mori pjesë në atë që quhet finalja e Kupës Interkontinentale U-20 e që u zhvillua në Montevideo të Uruguait. Përballë kampionëve të Evropës për këtë grup-moshë ishte Penaroli, skuadra uruguaiane që fitoi edicionin e fundit të Kupës Libertadores U-20. Bajrami ishte pjesë e formacionit dhe luajti për 90 minuta, duke qenë një nga elementët kyç të këtij suksesi madhor për futbollin e klubeve me Benfikën U-20 që e fitoi finalen me rezultatin 1-0.

Në rrëfimin e tij për Fshf.org, mbrojtësi i talentuar kuqezi tregon emocionet që ka përjetuar dhe atmosferën e krijuar në stadiumin e mbushur me 40 mijë spektatorë në Montevideo. Bajrami është krenar për këtë sukses historik, ndërsa shprehet i lumtur që është pjesë e Benfikës, që siç thotë kampioni i botës për klube U-20, është një nga klubet me akademinë më të mirë në botë.

– Pak ditë më parë fitove Kupën Interkontinentale me Benfikën, duke mposhtur në finale Penarolin, që vinte në këtë finale si fitues i Kupës Libertadores. Na trego diçka për emocionet e kësaj sfide, si e ke përjetuar?

– Ndeshja kundër Penarol ishte një kënaqësi e madhe për mua që ta përjetoja sepse ishte shumë e vështirë, më shumë e vështirë emocionalisht, sesa në aspektin fizik. Emocionalisht sepse ne luanim në stadiumin “Centenario” të Montevideos në Uruguai dhe Penarol ishin të zotët e shtëpisë dhe Penarol kishte mbështetjen e mbi 40 mijë tifozëve në stadium. Ishte një finale shumë e vështirë, pasi thuajse të gjithë ne nuk ishim mësuar të luanim në një stadium me 40 mijë tifozë, të cilët ishin që të gjithë në mbështetje të ekipit vendas. Stadiumi ishte i elektrizuar, tifozët kanë krijuar një atmosferë mahnitëse për ekipin e Penarolit. Madje, kur u kthyem në Portugali shkuam të shikonim ndeshjen e Benfikës për Champions League ndaj Dinamo Kievit dhe më dukej shumë më ndryshe, më e lehtë në aspektin e atmosferës krahasuar me ndeshjen tonë në Montevideo, që siç e thashë ishte shumë e ngarkuar emocionalisht. Ishte një kënaqësi shumë e madhe ta përjetoja një finale të tillë, mu desh pak kohë gjatë pjesës së parë për t’u ambientuar siç duhet, por sigurisht ka qenë në eksperiencë fantastike dhe e gjitha për t’u shijuar.

– Çfarë do të thotë për ty ky titull, të fitosh një trofe që praktikisht është edhe kupa e botës për klube në nivelin e të rinjve?

– Është një arritje vërtetë historike, sepse Benfika U-20 është skuadra e parë që e fitonte këtë trofe, pra edicionin e parë të Kupës Interkontinentale U-20, dhe ndihem i lumtur e krenar për veten dhe për klubin gjithashtu. Unë e them shpesh se Benfika ka akademinë më të mirë në botë dhe fitorja e këtij trofeu është një konfirmim për këtë klub. Jam shumë i kënaqur për këtë sukses dhe për klubin, shpresoj që të vazhdojmë të arrijmë suksese të tjera në të ardhmen dhe të fitojmë trofe

– Ti zakonisht luan me Benfikën B, si u mor vendimi që të ishe pjesë e Benfikës U-20 për këtë ndeshje. Mund të na tregosh diçka për vendimin, si e mësove që ishe grumbulluar për këtë finale të madhe?

– Benfica U-19 ka fituar sezonin e fundit titullin e UEFA Youth League (ekuivalenti i Champions League për moshat) dhe në këtë skuadër luanin lojtarët nga vitlindja 2003 e lart. Pra, skuadra U-20 përbëhet nga lojtarët që janë maksimumi vitlindja 2002, kështu që unë nuk e kam pritur të jem pjesë e grupit që do të luante në finalen e Kupës Interkontinentale, por ishte një vendim i Benfikës që lojtarët nën moshën 20 vjeç të mund të merrnin pjesë në këtë ndeshje. U gëzova shumë kur më komunikuan që isha përzgjedhur edhe unë që të isha pjesë e këtij grupi lojtarësh, që tashmë ka bërë historinë.

– Si po të ecin gjërat te Benfika, je i kënaqur me ecurinë që ke pasur deri më tani te klubi, dhe cilat janë planet për të ardhmen?

– Te Benfika gjërat po ecin mirë për momentin, aktualisht aktivizohem me ekipin e dytë, Benfika B, që merr pjesë në ligën e dytë të Portugalisë. Jam i kënaqur me ecurinë që kam pasur në këtë klub, kam luajtur rregullisht, duke qenë edhe kapiteni i skuadrës. Kam mbështetjen e stafit teknik dhe të klubit, më kanë vlerësuar shumë vazhdimisht. Për momentin jam pjesë e Benfikës, mundohem të jap gjithmonë maksimumin në çdo seancë stërvitore e në çdo ndeshje, të përmirësohem dita ditës, duke punuar shumë dhe t’u tregoj trajnerëve të ekipit të parë se jam i gatshëm në çdo kohë për të debutuar në ligën elitare portugeze.

 

Lajme të tjera

Legjionarët

Mirlind Daku është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Rubin Kazan. Sulmuesi kuqezi u transferua gjatë verës tek skuadra ruse ku...

Spanjë

Xavi Hernandez do të largohet nga Barcelona në përfundim të këtij sezoni dhe tashmë presidenti Laporta është duke menduar për zëvendësuesin e trajnerit. Sipas...

Angli

Trajneri i Brighton, Roberto De Zerbi flet për të ardhmen e tij, e cila është një nga temat më të nxehta të ditëve të...

La Liga

Valencia ndal Realin e Madridit në “Mestalla” në një barazim 2-2, ku protagonisti kryesor i ndeshjes bëhet gjyqtari Gil Manzano. Po luhej minuta e...