Pierre-Emerick Aubameyang po kalon një moment të vështirë në karrierë. Gabonezi u la jashtë listës së Champions, pasi stafi i Chelsea-t besoi më shumë te blerjet e janarit. Sulmuesi duhej të linte vend për emra të tillë si Mudryk, Enzo Fernandez apo Badiashile. Duket se ky vendim i Potter është një mesazh i qartë se ai duhet të gjejë një destinacion të ri.
Shtypi anglez siguroi se Auba nuk e priste të ishte ai i “i flijuari” dhe ishte “tronditur” kur mori vesh lajmin. Tashmë sulmuesi veteran e ka të qartë që nuk ka të ardhme në Londër.
Edhe pse kontrata e tij skadon në qershor 2024, Aubameyang tashmë po kërkon një strehë të re, që mund të jetë në Itali. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Milani është klubi më i pozicionuar për momentin për të marrë shërbimet e tij verën së ardhshme.
Sulmuesi do të kthehej në “shtëpi” dhe do të vishej sërish me ngjyrat kuqezi, siç ka bërë që nga viti 2007, kur ishte në moshën 17-vjeçare, deri në vitin 2012, kur u transferua në Saint-Etienne.
Aubameyang ka luajtur më pak se një mijë minuta (783) në 16 ndeshje në të cilat ka shënuar vetëm tre gola dhe ka dhënë një asistim në këtë sezon.
