Ditën e sotme janë zhvilluar ndeshjet e dyta për kualifikueset e Europianit U17 për vajza. Që po zhvillohen në Shqipëri nën organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Sfida e parë ishte ajo mes Danimarkës dhe Greqisë, që u luajt në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.
Takimi përfundoi me fitoren 3-1 të danezeve. Në pjesën e parë Danimarka dominoi takimin por nuk arriti të shënonte dhe 45 minutat u mbyllën 0-0. Fraksioni i dytë nisi më mirë për vajzat e Greqisë, të cilat zhbllokuan takimin në minutën e 63′ me Electra Tzourtzevits.
Kur gjithçka po shkonte drejt fundit, Danimarka përmbysi rezultatin dhe realizoi tre gola! Fillimisht në të 86′ me Amalie Lund, ndërsa përmbysja e madhe erdhi tri minuta më vonë. Në të 89′ falë një penalltie të shndërruar në gol nga Julie Borkop.
Ndërkohë që sulmuesja Amalie Lund realizoi golin e tretë dhe të dytin personal në minutat shtesë (90+4′). Duke vulosur përfundimisht fitoren e Danimarkës.
Lexo edhe:
- “Një buzëqeshje dhe stadiumi tërbohej”, Pique: Ndeshjet ndaj Espanyol shijonin më shumë se ndaj Realit
- “As kartoni i verdhë nuk e ndali”, trajneri i Legias vlerëson ish-mesfushorin e Tiranës: Më lumturoi!
- Notat/ Më i miri te Atalanta, elozhe pa fund për Gjimshitin: Shumë nerv dhe prezencë në zonë
- Ndeshjet vendimtare të nëntorit, trajneri Sylvinho publikon listën e lojtarëve të grumbulluar
Në ndeshjen tjetër të grupit, Suedia fitoi pa shumë vështirësi ndaj Bjellorusisë, duke triumfuar 3-0 në takimin e luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”. Në këtë sfidë pjesa e parë përfundoi 0-0, ndërsa në fraksionin e dytë suedezet nuk u përmbajtën.
Fillimisht zhbllokuan takimin në minutën e 51′ me Ella Alexandersson. Në të 67′ Ella Lundin realizoi golin e dytë dhe të qetësisë për ekipin e Suedisë. Ndërsa gjashtë minuta nga fundi sërish Ella Lundin u bë protagoniste duke shënuar golin e tretë. Dhe të dytin personal.
Pas përfundimit të ndeshjeve të dyta, Danimarka vijon të kryesojë renditjen me 6 pikë të plota, po aq sa Suedia, megjithatë falë golavarazhit më të mirë Danimarka qëndron e para.
Sfida e fundit do të jetë Danimarkë-Suedi, që do të vendosë se kush do ta mbyllë në vendin e parë në grupin A7. Ndeshja tjetër e këtij grupi do të jetë Greqi-Bjellorusi.
Të dyja sfidat do të luhen më 13 nëntor, në të njëjtën orë (11:00). Ky është turneu i 9-të që organizohet në Shqipëri nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n.
Kalendari dhe renditja e ndeshjeve kualifikuese të Grupit A7 të Europianit U17 për vajza:
07.11.2023
Suedi-Greqi 2-0
Bjellorusi-Danimarkë 0-6
10.11.2023
Danimarkë-Greqi 3-1
Suedi-Bjellorusi 3-0
13.11.2023
Greqi-Bjellorusi
“Niko Dovana” (11:00)
Danimarkë-Suedi
“Elbasan Arena” (11:00)
Renditja:
1. Danimarkë 6 pikë
2. Suedi 6 pikë
3. Greqi 0 pikë
4. Bjellorusi 0 pikë
