Connect with us

Hi, what are you looking for?

Europa League

Starton faza e 1/8-ave në E. League, anulohen përballjet italo-spanjolle

Manchester United, klubi që e fitoi Europa League-n në vitin 2017 nën drejtimin e trajnerit Jose Mourinho, konsiderohet si një ndër ekipet favoritë për të triumfuar në edicionin e sivjetshëm. “Djajtë e kuq” po kalojnë një formë shumë të mirë dhe United ka fituar 7 nga 10 ndeshjet e fundit në të gjithë kompeticionet.

Në 8 nga këto 10 sfida është aktivizuar mesfushori portugez Bruno Fernandes, blerja më e fundit e klubit në muajin janar dhe 25-vjecari luzitan ra në sy shpejt, duke bërë menjëherë diferencën, deri në atë pikë sa për t’u shpallur edhe lojtari më i mirë i muajit shkurt te “red devils”.

Për më tepër Bruno Fernandes konsiderohet edhe lojtari më i mirë deri tani i këtij edicioni, sepse me fanellën e Sportingut dhe United ky futbollist ka kontribuar me 6 gola dhe 3 asist. Gjatë kësaj periudhe ekipi i drejtuar nga trajneri Ole Gunnar Solskjaer ka pësuar vetëm dy gola gjithsej, në Belgjikë në barazimin 1-1 me Club Brugge, ku portieri argjentinas Romero mund të kishte bërë më shumë, si dhe në duelin me Evertonin në “Goodison Park”, takim i mbyllur gjithashtu me shifrat 1-1, por ku golin e avantazhit të përkohshëm për “blutë” e realizoi Calvert – Lewin pas një gabimi tepër të rëndë të portierit spanjoll David De Gea.

United paraqitet në Austri pas triumfit në derbi me City-n, ku për hir të së vërtetës skuadra e Guardiolës u duk disi e lëshuar dhe pa ndonjë motivim të vecantë. Për të mbërritur deri këtu United eliminoi Club Brugge-n me rezultatin e përgjithshëm 6-1, ndërsa klubi i LASK-ut mposhti ekipin e Alkmarit, me shifrat 3-1. Klubi austriak nga Qyteti i Linzit përbën një ndër surprizat e mëdha të edicionit të 49 të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm të Kupave të Evropës.

Ekipi austriak drejtohet nga ish-mbrojtësi francez i Bajernit dhe i Verderit Valerien Ismael dhe skuadra e LASK-ut luan një futboll tepër rezultativ, falë të cilit madje formacioni bardhezi kryeson Bundesligën Austriake me plot 6 pikë më shumë se Salzburgu. Trajneri norvegjez pritet të alternojë skuadrën dhe të bëjë shumë ndryshime, për shkak të lojtarëve të dëmtuar si dhe ndeshjes me Tottenham-in që United do të ketë këtë fundjavë në Londër në Premier League, kampionat ku rivaliteti për Zonën Champions është vërtet shumë i ashpër.

Te vendasit do të mungojnë Philipp Wiesinger dhe Petar Filipovic, gjithsesi kjo është hera e parë për Linzin që ky ekip përballet me një klub anglez në Kupat e Evropës, ndërkaq në katër vizitat e United në Austri, “djajtë e kuq” kanë fituar 3 prej tyre, por mbi të gjitha “red devils” nuk kanë pësuar asnjë gol.

Ky takim do të luhet në orën 18:55 ndërsa në mbrëmje në orën 21:00 në Skoci do të zhvillohet ndeshja Rangers – Bayer Leverkusen. Klubi i famshëm skocez ka qenë finalist në vitin 2008, kur u mund nga Zeniti i Shën Petërsburgut, ndërsa ekipi i Leverkusenit ia ka dalë të fitojë Kupën UEFA në vitin 1988, kur “aspirinat” mposhtën Espanjolin pas gjuajtjes së 11-metërshave.

Bayeri ka fituar 22 nga 27 pikët në dispozicion në kampionatin gjerman, duke iu afruar ndjeshëm Zonës Champions në Bundesligë. Leverkuzeni kaloi “dragonjtë” e Portos në turin e mëparshëm me shifrat 5-2, ndërsa Rangersi mundi Sporting Bragën me rezultatin e përgjithshëm 4-2. Skuadra e drejtuar nga Steven Gerrard është distancuar ndjeshëm nga Celtic-u në kampionatin skocez, kështu që blutë do të përqendrohen me të gjitha forcat pikërisht në Europa League.

Te klubi i famshëm skocez luan në formë huazimi nga ekipi i Hibernians-it edhe sulmuesi me origjinë shqiptare, Florian Kamberi, i cili u grumbullua nga kombëtarja kuqezi në muajin nëntor për sfidat me Andorrën dhe Francën por nuk luajti dot edhe për arsye të një dëmtimi të pësuar në kavilje.

Të vetmet përballje ndërmjet këtyre dy klubeve janë zhvilluar 22 vjet më parë, në Kupën UEFA, në raundin e dytë, kur Rangersi barazoi 1-1 në Ibrox Park, ndërsa më herët ekipi skocez kishte fituar në Gjermani me rezultatin 2-1.

Lajme të tjera

Futboll

Fernando Santos nuk është më trajner i Beshiktashit, ka bërë të ditur klubi nga Stambolli këtë të shtunë. Vendimi u mor pas barazimit (1-1)...

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...