Europiani U-17 për femra/ Nisje e shkëlqyer e Shqipërisë, mposhtin Azerbajxhanin

Kombëtarja e femrave U-17 ka bërë një nisje të shkëlqyer të kualifikueseve të Europianit. Vajzat “kuqezi” triumfuan me rezultatin minimal 1-0 ndaj Azerbajxhanit falë golit të realizuar nga Borçi në ndeshjen e Grupit të 3 të Ligës B.
Goli i minutës së 36’-të nga sulmuesja, që përfitoi maksimalisht nga një përgjumje e mbrojtjes azere, ishte i mjaftueshëm për t’i dhuruar një sukses të çmuar ekipit të drejtuar nga Agustin Kola.
Përfaqësuesja “kuqezi” nuk i vuri në asnjë moment në diskutim 3 pikët, teksa edhe në pjesën e dytë kontrolloi takimin, duke i shkuar pranë edhe realizimeve të tjera nëpërmjet Muçës dhe Çokës.
Sidoqoftë, kombëtarja “kuqezi” administroi në mënyrën e duhur avantazhin deri në vërshëllimën finale, duke marrë fitoren e parë.
Përfaqësuesja e Agustin Kolës ngjitet në të njëjtën kuotë pikësh me Skocinë, që fitoi 9-0 në duelin hapës me Maqedoninë e Veriut. Të gjitha takimet e raundit, Shqipëria U-17 do t’i zhvillojë në ‘Elbasan Arena’, ku do të përballet në sfidën e dytë ndaj Skocisë më 11 Mars, ndërsa kalendarin intensiv do ta përmbyllë më 14 mars ndaj Maqedonisë së Veriut.
