Filip Djuricic rikthehet në Gjenovë pas katër vitesh. Mesfushori 30-vjeçar serb refuzoi të rinovojë me Sassuolon pas katër sezonesh te zi-jeshilët dhe vendosi të rikthehet te Sampdoria, aty ku ka luajtur nga 2016-a, deri në fillim të vitit 2018.
Futbollisti serb ka mbërritur sot në qytetin e Gjenovës për të kryer vizitat mjekësore dhe më pas do të firmosë një kontratë 2-vjeçare e do të nisë aventurën nën urdhrat e trajnerit Marco Giampaolo.
Ky i fundit ka më në fund fantazistin e preferuar, për të aplikuar rreshtimin 4-3-1-2, skemë me të cilën pati sukses te Sampdoria edhe kur e drejtoi në periudhën 2016-2019.
Nga ana tjetër, Djuricic vjen me dëshirën për të bërë mirë, pas 4 sezonesh me fanellën e Sassuolos, ku luajti plot 100 ndeshje dhe shënoi 14 gola, duke qenë gjithmonë pikë referimi për skuadrën.
